Çekia i kërkon SHBA-së të ndërhyjë për problemet e CEZ-it me qeverinë shqiptare
Kompania thotë se nuk mund të vazhdojë gjatë me këto humbje
Nuk mjaftoi vizita e kryeministrit çek, Petr Necas në Shqipëri për të zgjidhur problemet e kompanisë CEZ. Siç raporton e përditshmja Prague Post, qeveria çeke i kërkon edhe SHBA-ve që të ndërhyjnë për këtë çështje.
Qeveria ka ndërhyrë pasi gjigandi i energjisë u ankua për problemet në Shqipëri, ku ka blerë kompaninë e shpërndarjes së energjisë, në të cilën është investuar fuqishëm, por tani po pëson humbje të mëdha. CEZ thotë se rregullatorët shqiptarë e kanë rritur çmimin e energjisë me 91 përqind me një taksë në fillim të vitit. Taksa ka rritur çmimet për prodhuesin shtetëror të energjisë, që ka monopolin e furnizimit me energji për CEZ. Si rezultat, CEZ ka pësuar humbje në rritje që prej janarit. CEZ thotë se nuk mund ta kalojë këtë rritje çmimesh tek konsumatorët, shkruan Prague Post.
Një zëdhënëse e CEZ ka thënë se ata nuk mund të vazhdojnë të operojnë për shumë gjatë me humbje të tillë financiare. Për më tepër CEZ thotë se do kërkojë kompensim financiar nga qeveria për këto humbje që po pëson.
Banka Botërore ka ofruar 60 milion euro garanci për kredi për projektin, të cilat mund të tërhiqen në rast se qeveria shqiptare nuk zbaton detyrimet e saj. Kryeministri Necas ka thënë se si një nga aksionerët kryesorë të Bankës Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të interesohen për zgjidhjen e problemit të CEZ në Shqipëri.