Vangjel Dule: Në Himarë po prishen objekte në mënyrë selektive, me karakter hakmarrës
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, doli në një konferencë për shtyp pasdite për të denoncuar atë që e quajti prishje selektive të ndërtimeve në Himarë. Dule hodhi akuza ndaj inspektoratit ndërtimor, që tani po drejtohet nga partia e çamëve. Po ashtu ai hodhi edhe akuza ndaj drejtuesve bashkiakë në Himarë. Dule tha se megjithatë brezi i rërës po betonizohet. Në prag të çeljes së sezonit turistik zona bregdetare e Himares bëhet objekt aksionesh të policisë ndërtimore me pretekst prishjen e objekteve te paligjshme duke i dhënë zonave të caktuar, me karakter më turistik, karakteristika të tipit Kandahar. Duke filluar nga Llogaraja, vazhduar në Palas, dhe deri në Qeparo, po betonizohet brezi i rërës intensivisht me mbështetjen e autoritetit bashkiak të Himarës. Prishja e objekteve të deritanishme është bërë kryesisht selektive, me karakter hakmarrës dhe në dëm të banorëve autoktonë, tha Dule.