E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli takohet me Arvizunë: Mund ta mbyllim reformën zgjedhore në afat

Share

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është takuar sot me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Ky i fundit po bën disa takime përpara se të niset për në SHBA.

Në një njoftim të Kuvendit thuhet se kryetarja Topalli e ka informuar se puna për reformën zgjedhore mund të mbyllet në afat brenda prillit. Mësohet se është diskutuar edhe për seancën ku u votua për anëtarin e ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Tema e bisedimeve ishte axhenda e Parlamentit dhe e punës së komisioneve gjatë kohëve të fundit. Kryetarja e Kuvendit bëri një ekspoze të punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore, i cili ka kaluar dhe votuar disa blloqe nenesh dhe amendamentesh, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2011. Me gjithë punën që është bërë, Komisioni ka mundësitë që ta përmbyllin punën e vet me sukses brenda afatit të caktuar, brenda prillit. Gjithashtu, Kryetarja e Kuvendit, shpjegoi për punën e Grupit të Punës për Reformën parlamentare. Ajo theksoi se Grupi i Punës ka një mandat që e detyron të punojë në modelin e Rregullores së Parlamentit Evropian dhe në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë. Biseda vazhdoi edhe me diskutime të zhvillimeve të tjera të fundit në Parlament, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›