E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Jemi për korrektimin e sistemit aktual. Malaj: PS të tregohet më imponuese për reformën zgjedhore

Share

Kryetari i LSI, Ilir Meta, në një intervistë për AS tha se partia e tij është për korrektimin e sistemit aktual zgjedhor për të barazuar votën. Ne nuk kemi kontestuar numërimin elektronik, sepse ai është një hap përpara, një hap modernizues e transparent, por shqetësimi ynë ka qenë marrja e të gjitha garancive të domosdoshme që të jetë i suksesshëm, pra të mos ketë bllokime. Ju e imagjinoni se çtension të panevojshëm do të kishim në këto raste. Ky është i vetmi preokupim. Së dyti, ne jemi për korrektimin e këtij sistemi aktual për të evituar diskriminimin dhe për të barazuar sa më shumë të jetë e mundur votën e qytetarit, ashtu siç kërkon dhe Kushtetuta. Edhe njëherë tjetër, ne apelojmë që të intensifikohet puna, të rritet transparenca dhe në fund fare të kemi një produkt përfundimtar në fund të muajit prill, të respektohet përfundimisht ky afat, tha Meta, që mirëpriti organizimin e një tryeze mes partive për këtë çështje.

Ndërkohë, ndryshe nga kryetari i opozitës Rama, i cili shprehet se e ka të vështirë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, pasi shumë gjëra varen edhe nga vullneti i mazhorancës, anëtari i Kryesisë socialiste Arben Malaj shprehet se është momenti që PS të tregohet më imponuese. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, deputeti i PS-së Malaj kujtoi rastin e ndryshimit të Kushtetutës katër vjet më parë, për të ilustruar se kur ka qenë e nevojshme PS dhe PD e kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Malaj ka vlerësuar edhe rolin e koalicioneve me partitë e tjera, si shumë të nevojshëm për krijimin e një mazhorance që ndërmerr reforma të rëndësishme. Sa i përket ekonomisë, Arben Malaj ka pranuar se Shqipëria nuk u prek shumë nga kriza globale, edhe pse sipas tij ajo është ndjerë në disa sektorë. Mirëpo, ish-ministri i Financave në qeverisjen socialiste tha se autoritetet përgjegjëse duhet të vijojnë të jenë vigjilentë dhe të ndërmarrin masat e duhura parandaluese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›