Dy vjet burg për Kashnjetin

Një gjykatë në Beograd, dënoi sot me dy vjet heqje lirie një shtetas të Kosovës nën akuzat për krime lufte. Sipas gjykatës, Mark Kashnjeti ishte i përfshirë në siç thuhet “krime lufte kundër civilëve serbë, me qëllim largimin e tyre nga Prizreni”.
Sipas akuzës, Mark Kashnjeti, si pjesëtar i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj ushtrie, kishte rrëmbyer dy pjesëtarë të komunitetit serb në Prizren, Lubomir Zdravkoviqin dhe Bozidar Gjuroviqin, nën kërcënimin se do të vriten dhe më pas i ka mbajtur për disa orë në oborrin një shtëpie, transmeton voa.
Gjithnjë sipas akuzës, Kashnjeti më pas i ka urdhëruar të ndaluarit që të largohen për në Serbi, nëse duan të mbeten gjallë. Në këtë mënyrë, thuhet në akuzë, ai ka kryer krim të luftës me qëllim që të detyrojë të ndaluarit të braktisin Kosovën.
I akuzuari Kashnjeti, gjatë tërë procesit gjyqësor mohoi pretendimet e prokurorisë duke theksuar se nuk ka qenë asnjëherë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mark Kashnjeti, është arrestuar nga policia serbe në muajin prill të këtij viti, në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, ndërsa akuza ndaj tij u ngrit në maj të këtij viti./Indeksonline/