E Diel, 1 Nëntor 2026

Çeku: Serbët e Kosovës duhen izoluar nga Serbia

Ish-kryeministri Agim Çeku, i cili sapo ka marrë timonin e Partisë Social Demokrate të Kosovës, ka ide të qarta se çfarë duhet të bëhet me serbët. Ai rrëfen për "Shqip" se pse vendosi të refuzojë ofertat e partive të tjera...

Zoti Çeku, ju keni pasur oferta të ndryshme, duke filluar nga PDK-ja, AAK-ja, ORA etj., megjithatë, ju nuk iu bashkuat asnjërës prej tyre, por vendosët të viheni në krye të socialdemokratëve. Pse?

Thjesht, vendosa të rikthehem në politikë, apo të filloj karrierën time politike, duke marrë në drejtim Partinë Social Demokrate dhe këtë vendim e mora duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se detyra dhe përkushtimi im ndaj vendit tim nuk ka përfunduar, i vetëdijshëm që para nesh gjenden sfida të mëdha, dëshiroj që përmes këtij subjekti politik, programit socialdemokrat, të ofroj përgjigje në shumë sfida, me të cilat ballafaqohemi sot dhe në të ardhmen. Unë mendoj se kam krijuar një koncept politik të qartë, kam pasur rastin që në kohën sa kam qenë Kryeministër t‘i prek problemet me të cilat ballafaqohet Kosova dhe këtë vizion timin mund ta implementoj dhe ta shfaq shumë më qartë nëse jam në krye të subjektit politik.

Por, PSDK-ja është një parti shumë e vogël, gati pa ndikim, si mund ta realizoni programin e saj?

Është e vërtetë, por kjo është një sfidë për mua. Unë nuk jam përcaktuar vetëm sa për të marrë ndonjë post, apo vetëm të angazhohem politikisht. Kudo mund të isha inkuadruar në partitë ekzistuese ku kam shumë miq, miq shumëvjeçarë, por thjesht unë jam përcaktuar për program dhe mendoj që PSDK-ja është rruga më e përshtatshme për Kosovën, mendoj që koncepti socialdemokrat i duhet Kosovës.

Ju deklaruat se nuk kërkoni zgjedhje pas nëntë muajsh, siç kërkoi AAK-ja, apo përcaktohet në paketën e Ahtisarit. Arsyeja është se ju nevojitet më shumë kohë për t‘u konsoliduar?

Jo për atë, unë thjesht kam programin tim, konceptin tim, bindjen time. Pakon e Ahtisarit nuk e konsideroj si Bibël.

Në çfarë kuptimi nuk e konsideroni si Bibël?

Unë e konsideroj si një bazë për rregullimin e shtetit, e cila ka shërbyer për njohjen e pavarësisë, por unë kam qenë pjesëtar i negociatave të shumta dhe kam frikë që shumë zgjidhje të pakos së Ahtisarit nuk do të jenë funksionale dhe koha do ta dëshmojë këtë.

P.sh. cilat?

Shumë, dispozitat sa i përket decentralizimit, zonave të mbrojtura, pakoja e Ahtisarit është e dizajnuar për akomodimin e serbëve dhe kjo ka të bëjë kryesisht me akomodimin e pakicave, dhe nëse pakicat nuk e pranojnë, atëherë ajo e humbet kuptimin.

Kohët e fundit kemi shumë zhvillime pas shpalljes së pavarësisë, një lloj heshtjeje ose mungesë presioni nga ana e qeverisë ndaj UNMIK-ut, që thotë se administron. Ju si e shihni këtë situatë?

Veriu i Kosovës paraqet me të vërtetë një sfidë të madhe. Unë shoh që qeveria ka deklarime politike, por nuk shoh asnjë plan konkret, nuk proklamon asnjë plan konkret për integrimin e kësaj pjese. Hapi i parë që duhet të bëhet është që serbët e Kosovës duhet të izolohen nga Serbia, duhet të izolohen politikisht, dhe për t‘u izoluar politikisht duhet të vendosen masa të rrepta në kufi, të kontrollohet se kush hyn dhe me çfarë qëllimi, si hyn në Kosovë, çfarë bën në Kosovë. Duhet të izolohen ekstremistët serbë që janë në mesin e qytetarëve serbë.

Pas 17 shkurtit në Kosovë nuk ka ndryshuar asnjë gjë për sa i përket këtyre problemeve...

Shumë pak ka ndryshuar, qeveria për fat të keq është duke u marrë më shumë me spektakle mediatike dhe nga të gjitha planet ka shumë të detajuar vetëm planin mediatik se si të duket mirë, si të paraqitet mirë dhe nuk po shoh asnjë veprim konkret,

A po sillet Kosova si shtet apo jo, tashmë që ka shpallur pavarësinë?

Jo, ende jo. Ne tanimë kemi Kushtetutën, e cila nuk është në fuqi, kemi ligjet e Ahtisarit, që ende nuk kanë hyrë në fuqi dhe jemi në fazën e tranzicionit, por ekziston një konfuzion sa i përket kompetencave të bashkësisë ndërkombëtare, mandatit të UNMIK-ut, të përfaqësuesit të lartë të BE-së, ardhjes së misionit EULEX. Është një konfuzion sa i përket mandateve dhe Kosova sot nuk e di a është në fazën e tranzicionit apo jo. Ne duhet të fillojmë të sillemi si shtet. Dhe çdokush të trajton ashtu si sillesh.

Të ndalemi te zhvillimi i zgjedhjeve të Serbisë. Shihet se edhe këto mbahen në Kosovë dhe askush nuk do t‘i ndalojë, as qeveria, as UNMIK-u. Sipas jush, a nevojitet një qëndrim i prerë?

Unë jam kategorikisht kundër që Kosova të trajtohet si zonë zgjedhore e Serbisë, zgjedhjet në Kosovë i kemi pas atyre lokale dhe parlamentare, serbët e Kosovës kanë pasur rastin që të votojnë. Për sa i përket parimit të dyshtetësisë, nëse qytetarëve serb u garantohet se do ta kenë shtetësinë e Kosovës dhe Serbisë, atëherë ata mund të kenë zgjedhje edhe për Kuvendin e Serbisë, por assesi për zgjedhjet lokale. Dhe kjo duhet të bëhet jo nëpër vendvotime anekënd Kosovës, por në përfaqësi të tyre një vend apo dy, si në shtetet e tjera.

Ndërkohë këtu hynë e dalin politikanët e Serbisë, si në shtëpi të tyre?

Ky është problem në Kosovë, UNMIK-u nuk duhet ta lejojë këtë assesi. Zoti Samargjiç vjen dhe UNMIK-u i ofron siguri, transport dhe e akomodon. Kështu nëse ai vjen si qytetar privat, atëherë duhet të sillet si i tillw, të shkojë në ndonjë familje, të lëvizë me makinën e tij dhe assesi me aktivitet politik.

Sipas jush, pse i bën këto lloj akomodimesh dhe lojërash UNMIK-u?

Është e paqartë për mua dhe i bën dëm edhe vetes, edhe Kosovës, por në radhë të parë u bën dëm serbëve të Kosovës, sepse ata gjithnjë e më shumë e kanë më të paqartë fatin e tyre, sepse po marrin mesazhe të ndryshme edhe nga ne, edhe nga Beogradi, kanë ekstremistët e tyre që implementojnë vullnetin e Beogradit mbi ta, kështu që me të vërtetë serbët e Kosovës duhet të lirohen nga ndikimi i Beogradit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›