Haradinaj pajton Ahmetin me Thaçin
PDSH-ja dhe BDI-ja mund të dalin bashkërisht në zgjedhjet e parakohshme, ndërsa ndërmjetësues për bashkimin e këtyre dy partive shqiptare do të jetë ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Opsioni për daljen e këtyre dy partive bashkërisht në zgjedhje është i mundshëm, për shkak se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gëzon autoritet dhe respekt te dy liderët e partive shqiptare, Menduh Thaçi i PDSH-së, dhe Ali Ahmeti i BDI-së. Ideja për bashkëveprimin e tyre nuk është përjashtuar në Kuvendin e Maqedonisë, edhe nga deputetë të dy partive shqiptare. Por deri tani asnjë nga krerët e PDSH-së dhe BDI-së nuk e kanë komentuar lajmin. Dy partitë në platformat e tyre politike kanë zgjidhjen e çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe, ligjit për simbolet kombëtare, ligjit për përkujdesje institucionale për UÇK-në, njohjen e Kosovës dhe ndërprerjen e shqyrtimit të katër rasteve të Tribunalit të Hagës, që ngarkojnë ish-drejtues të këtij formacioni të shpërbërë ushtarak lidhur me konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni. Në rast të shpërndarjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, atëherë kalkulimet partiake nxjerrin në pah se shqiptarët bashkërisht do të mund të fitojnë rreth 35 deputetë. BDI-ja nisi shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e parakohshme, ndërsa disa orë më vonë propozimi është mbështetur edhe nga PDSH-ja.