E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super Gerrard

Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard shkëlqeu duke realizuar het-trik në fitoren 3-0 kundër Evertonit, në derbin e Merseyside të martën. Por, kjo nuk ishte hera e parë që mesfushori dëshmoi se është motori i skuadrës nga Anfield Road. Këto janë pesë ndeshjet më të mira të Gerrardit me Liverpoolin.

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, pranoi se nuk ka fjalë për të përshkruar kualitetin e kapitenit Steven Gerrard pas het-trikut të tij në fitoren 3-0 ndaj Evertonit.

Por, BBC Sport nuk pati vështirësi të tilla dhe e vlerësoi paraqitjen e Gerrardit në derbin e Merseyside si më të mirën nga cilido futbollist në Angli këtë sezon. Kjo nuk ishte hera e parë që Gerrard shfrytëzoi aftësitë e tij, fuqinë dhe përkushtimin duke udhëhequr Liverpoolin drejt fitores.

Mesfushori shpeshherë e ruan maksimumin e tij për ndeshjet kryesore. Kjo është përmbledhja e pesë ndeshjeve më të mira të Gerrardit.

1) Liverpool – Milan 3:3, finalja e Ligës së Kampionëve, maj 2005

Liverpooli ishte në disavantazh 3-0 pas pjesës së parë në Stamboll, por një njeri nuk u ndal së besuari. Duke tërhequr për dore skuadrën e tij, Gerrard e riktheu Liverpoolin në lojë duke ngushtuar rezultatin e më pas fituar një penallti për barazim, shtatë minuta pasi Vladimir Smicer kishte realizuar për 2-3. Ndeshja shkoi në vazhdime. Liverpool fitoi në penallti, ndërsa Gerrard ngriti trofeun e pestë të Liverpoolit si kampion i Evropës.

2) Liverpool – West Ham 3:3, finalja e FA Cup, maj 2006

Një vit pas ‘Mrekullisë së Stambollit’, Gerrard tregoi kualitetin e tij me një gol të shkëlqyeshëm në minutën e fundit të kohës së rregullt. Liverpooli ishte duke humbur 3-2 nga West Ham, kur Gerrard goditi nga një distancë e largët dhe dërgoi topin në këndin e epërm të portës së Shaka Hislopit. Kapiteni më pas realizoi nga penalltia në triumfin e Liverpoolit.

3) Liverpool – Olympiakos 3:1, Liga e Kampionëve, dhjetor, 2004

Liverpooli kurrë nuk do të arrinte në finalen e Ligës së Kampionëve më 2005, nëse Gerrard nuk do t’i kishte udhëhequr ata drejt kualifikimit nga faza e grupeve me një intervenim të vonshëm. Në nevojë të fitores ndaj Olympiakosit me dy gola dallim për të vazhduar tutje, Gerrard realizoi me volej goditje nga distanca në minutën e 86-të për fitoren 3-1.

4) Liverpool – Napoli 3:1, Europa League, nëntor, 2010

Një tjetër natë evropiane, një tjetër super-paraqitje nga Gerrard i cili u inkuadrua nga pankina për të shënuar het-trik për 14 minuta në fitoren 3-1 ndaj Napolit në Europa League. I inkuadruar në lojë pas pjesës së parë kur skuadra e tij ishte duke humbur 3-1, Gerrard mposhti Morgan de Sanctisin për barazim, realizoi nga penalltia dhe tejkaloi portierin për të kompletuar het-trikun e tij.

5) Liverpool – Manchester United 2:0, Premierligë, mars, 2001

Gerrard edhe pse 20 vjeç, kishte siguruar vend në formacionin bazë të Liverpoolit e më pas çimentoi qëndrimin e tij në zemrat e tifozëve në Anfield Road duke mposhtur portierin e Manchester Unitedit, Fabian Barthez. Ai refuzoi të dorëzohet para mesfushës së fuqishme të Unitedit, që përbëhej nga Roy Keane, Nicky Butt, David Beckham dhe Ryan Giggs. Gerrard shfaqi një paraqitje mbresëlënëse, derisa Liverpool siguroi fitoren e parë të dyfishtë ndaj Djajve të Kuq për 22 vite.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›