E Shtunë, 31 Tetor 2026

A është Shaqiri i vogël për Bayernin?

Paraqitja e zbehtë e Xherdan Shaqirit ndaj Bayern Munichut në Ligën e Kampionëve ka bërë që mediet zvicerane të dyshojnë nëse mesfushori kosovar mund të luajë rregullisht te gjiganti bavarez. Kur kësaj t’ia shtosh paraqitjet e jashtëzakonshme të dyshes Ribery-Robben, zviceranët shqetësohen mos 20 vjeçari nuk do të zë vend në Bayern.

Humbja e thellë e Baselit nga Bayern Munichu, në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve, e ka kthyer vëmendjen e opinionit të futbollit zviceran për fatin e Xherdan Shaqirit, yllit të Zvicrës, që së shpejti do të kalojë në radhët e gjigantit bavarez.

“Kur Shaqiri në minutën e tetëdhjetë lëshoi fushën, nga tribunat u përcoll me duartrokitje. Dhe kjo, përkundër faktit se performanca e tij nuk kishte arritur ta ngriste në këmbë askënd në stadium”, shkruan magazina zvicerane Blick.

Spikeri i stadiumit në Allianz Arena me atë rast i drejtoi disa fjalë të ngrohta mirëseardhjeje për 20 vjeçarin përmes altoparlantit. Munichu duket se i gëzohet ardhjes së Shaqirit, vazhdon shkrimin Blick.

Më tutje, kjo magazinë shtron pyetjen që dhemb: “Pas mundjes brutale nga bashkëlojtarët e tij të ardhshëm, shtrohet pyetja: Mos këta bavarezët janë megjithatë një kategori më lart për ‘xhuxhin’ magjik? Dhe në përgjithësi, në çfarë pozicioni do të luajë ai në Bayern?”.

Pastaj përkujtohet se si lojtarët e mëdhenj si Ribery dhe Robben, me driblimet dhe sulmet e tyre e kishin shushatur fare Shaqirin dhe shokët e tij në ndeshjen e së martës. Në këto kushte, ku mund të zë vend Shaqiri?

Edhe pozicionet tjera si ato të mbrojtësve anësorë janë të zëna nga lojtarë cilësorë si Philipp Lahm dhe David Alaba, kështu që mbetet e paqartë se ku do të angazhohet Shaqiri me klubin më të madh gjerman.

Shqetësime të ngjashme rreth pozicionit të Shaqirit në Bayern shtron edhe gazeta tjetër zvicerane 20Minuten. Ajo konstaton se fat për Shaqirin mund të jenë lëndimet e shpeshta të lojtarëve si Robben dhe Ribery, në vendin e të cilëve mund të luajë ai.

Në këtë bazë mund të mendohet se ai do të mund të luajë me kohë të ndryshme, në 70 për qind të ndeshjeve të Bayernit. Por, kujton gazeta, edhe në formacionin e tashëm rezervë të Bayernit ka mjaft lojtarë cilësorë, të cilët mund të jenë pengesë për planet e Shaqirit.

Ndërkaq, vetë yllit shqiptar, i cili nuk është se shkëlqeu në ndeshjen kundër Bayernit, duket se nuk i bëjnë përshtypje të gjitha këto shqetësime të medieve për të. “Se Robben dhe Ribery janë futbollistë të jashtëzakonshëm, është gjë që dihet. Unë gëzohem shumë që në sezonin e ardhshëm do të kem bashkëlojtarë të tillë të mëdhenj”, ka thënë Shaqiri për blick.ch.

Sidoqoftë, vazhdon artikulli, mbrëmja e 13 marsit nuk ka qenë dita e Baselit dhe as e Shaqirit. Ai ka dëshmuar tashmë se di që në nivelin më të lartë ndërkombëtar të luajë edhe ndryshe. Këtë e ka treguar në ndeshjet kundër Manchester Unitedit, në ato me Kombëtaren zvicerane kundër Anglisë etj. “Ndiejmë kënaqësi që këtë djalosh do ta kemi në ekipin tonë”, ka thënë i bindur bosi i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›