E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelen aktivitetet për marrjen e krediteve për profesionin e farmacistit

04/06/2010 Për të mos u penalizuar duhen ndjekur të paktën dy prej seminareve

Sikundër do të ndodhë me stafet mjekësore, edhe farmacistët në të gjithë vendin duhet të plotësojnë kreditit e duhura për ushtrimin e mëtejshëm të profesionit. Këto kredite ata duhet të t’i fitojnë për një periudhë prej pesë vjetësh sipas ndarjeve të përcaktuara në programin e edukimit të vazhduar, ndjekja e të cilit do të jetë e detyrueshme. Kështu, duke filluar nga mesdita e ditës së hënë pranë departamentit të farmacisë të Fakultetit të Mjekësisë në kryeqytet do të çelen aktivitetet e Edukimit në Vazhdim për farmacistët. Këto aktivitete do të jenë të përditshme për tërë muajin qershor. Në varësi të rregullores së përcaktuar çdo aktivitet do të zgjasë 2 orë e 30 minuta dhe ndjekja e dy prej tyre do të garantojë numrin e krediteve minimale për vitin 2010, ndjekja e katër aktiviteteve do të garantojë kreditet e këshilluara. Për regjistrimin në çdo proces të edukimit, që do të zhvillohet gjatë gjithë muajit, është përcaktuar një kuotë prej 500 lekësh. Ndjekja e këtij programi është një detyrim i farmacistit, që buron jo vetëm nga Kodi Deontologjik i profesionit, por dhe nga legjislacioni për sa i përket kujdesit shëndetësor, ku parashikohen sanksione për ata profesionistë të shëndetësisë që nuk e respektojnë këtë detyrim. “Për të respektuar kriteret e Programit të Ricertifikimit ne u këshillojmë farmacistëve të marrin pjesë të paktën në dy seminare (4 orësh) për të përfituar minimalisht 8 kredite formuese për vitin e parë të programit të kualifikimit. Këto programe për farmacistët duhet të fokusohen në tema, si: farmacia e aplikuar dhe e orientuar drejt pacientit, menaxhimi i riskut, etika farmaceutike, shkencat e komunikimit, shëndeti publik, ekonomi shëndetësore, farmacia klinike. Në rastin e farmacistit kursi i kualifikimit është një cikël unik të paktën 5-vjeçar, çka do të thotë se “farmacist” është profesionisti i diplomuar si farmacist, me një cikël unik të paktën 5-vjeçar (diplomë e integruar e nivelit të dytë). Njihen në të njëjtën masë diplomat e lëshuara nga Universiteti i Tiranës, dega farmaci, sipas programit të mëparshëm të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe diplomat e huaja në farmaci, të ekuivalentuara nga kjo ministri. Ndërsa studentët që mbarojnë në vitin 2010, përveç praktikës profesionale do t’u duhet të japin edhe provimin e shtetit, kalimi i këtij provimi u jep të drejtën të regjistrohen në një urdhër profesional. Vetëm pas këtaj ata kanë drejtën që të ushtrojnë profesionin e farmacistit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›