E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelësi i përgjigjeve për 12 lëndët

12/07/2009  Pas publikimit të rezultateve do të nisë procesi i përllogaritjes për nxjerrjen e fituesve

Korrigjimi i testeve do të bëhet në katër qendra sipas skemës së përcaktuar

Provimet e Maturës Shtetërore për 2009 janë finalizuar me provën e fundit gjatë ditës së djeshme, ku më shumë se 38 mijë maturantë në të gjithë vendin i janë nënshtruar testimit për dy lëndët me zgjedhe. Ashtu siç ishte deklaruar edhe më parë, testimi ka zgjatur rreth 4 orë e në këtë hark kohor kandidatët për studentë kanë dhënë përgjigjet e tyre për rreth 40 pyetje të niveleve të ndryshme. Menjëherë sapo ka përfunduar provimi të gjitha testet e plotësuara janë grumbulluar pranë qendrës së korrigjimit në kryeqytet dhe pas një përzgjedhjeje rastësore pritet që të shpërndahen sot në tri qendrat e tjera të vlerësimit që funksionojnë në rrethe. Për një javë me radhë këto teste do të kalojnë nëpër duart e dy vlerësuesve, të cilët në bazë të një skeme tashmë të përcaktuar do të japin vlerësimin me pikë për çdo përgjigje të dhënë. Sipas rregullores së provimeve, nxjerrja e rezultateve për të dyja lëndët do të bëhet 15 ditë pas kryerjes së testimit. Procedura e korrigjimit do të jetë e njëjtë si ajo e ndjekur në dy provimet e detyruara. Me mbylljen e këtyre provimeve maturantët mbeten në pritje të nisjes së procesit të përllogaritjes së komponentëve përbërës të maturës për listimin e kandidatëve fitues, sipas kuotave të miratuara për çdo program studimi në universitetet publike. Megjithatë, shpallja dhe renditja e fituesve do të nisë në fund të muajit gusht. Aktualisht në të gjitha shkollat e mesme po shkon drejt mbylljes procesi i plotësimit të formularit A-2, ku kandidatët për universitet listojnë dhjetë preferencat për ndjekjen e shkollës së lartë gjatë vitit të ardhshëm akademik. Më datën 15 korrik formularët duhet të dorëzohen nga drejtoritë arsimore në APRIAL, ku do të bëhet përpunimi i të dhënave. Pavarësisht rezultatit final të arritur, çdo kandidat do të shpallet fitues vetëm në një program studimi, që rezulton të jetë preferenca më e lartë e kërkuar nga vetë kandidati. Përllogaritja e rezultatit përfundimtar do të bëhet nëpërmjet një sistemi kompjuterik dhe në bazë të formulës tashmë tradicionale për caktimin e fituesve. Kandidatët që do të vlerësohen negativisht në këto provime, nuk do të futen në procesin e përllogaritjes për renditjen e fituesve.

Vlerësimi me pikë

Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim (30 pikë). Maturanti duhet të marrë maksimumi 80 pikë për dy provimet me zgjedhje që të arrijë notën maksimale në të dyja lëndët. Ndërsa niveli minimal i pikëve për t’u cilësuar kalues pritet të vendoset pas korrigjimit të gjitha testeve.

Përllogaritja

Formula tradicionale e përllogaritjeve edhe për këtë vit do të jetë sipas formulës tradicionale të Maturës Shtetërore (D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2], ku Ksh është koeficienti i shkollës, K1 është koeficienti për provimin e parë me zgjedhje dhe K2 koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje. Para se të listojë degët ku do të ndjekë shkollën e lartë, secili nxënës mund të llogarisë vetë paraprakisht se sa pikë mund të fitojë.

Renditja e fituesve

Për renditjen e kandidatëve fitues pas përfshirjes në procesin e përpunimit të të gjithë komponentëve të Maturës Shtetërore përdoret një program i posaçëm kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë, pas plotësimit të kuotave të miratuara hiqet vija e fituesve që do të pranohen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›