Përfundoi provimi me zgjedhje për 30 mijë maturantë, priten rezultatet
Sot është gara e fundit e Maturës Shtetërore 2009-ë. Rreth 30 mijë kandidatë për studentë në rang vendi ju nënshtruan paradite, provimeve me zgjedhje. Për rreth 2 orë e 30 minuta, maturantët do t'i përgjigjen tezave të lëndëve që kanë zgjedhur, të hartuara nga specialistët, të cilët pritet te dalin nga "ngujimi" po sot në mëngjes, kur nis edhe provimi i fundit i Maturës Shtetërore.
Sipas Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve (AVA) specialistët e ngujuar do të hartojnë rreth 12 teste, për lëndët matematikë, gjuhë shqipe, fizikë, kimi, biologji, histori, gjeografi, njohuri për shoqërinë, ekonomi, filozofi, anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht. Këto teza do të përmbajnë pyetje me zhvillim dhe alternim. Pas përfundimit edhe të provimeve me zgjedhje do të dalin edhe fituesit që pritet të ulen për vitin akademik 2009-2010 në auditorët e universiteteve publike. Maturantët brenda javës së ardhshme do të plotësojnë edhe formularin A2 për të renditur degët që ata preferojnë, duke i dhënë fund kështu procedurave.