E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet Panairi i Librit në Prishtinë



Dy nga sallat e Pallatit të Rinisë në kryeqytet, të dielën ishin “zaptuar” nga stendat. Organizatorët e panairit të librit “Prishtina 2010” ishin duke dhënë “dorën” e fundit të përgatitjeve. Gjithçka sipas tyre ka shkuar sipas planit. Të vetmet që mungonin ishin librat e mbi 100 shtëpive botuese nga të gjitha trevat shqiptare, të cilat për shtatë ditë me radhë do të jenë në dispozicion të lexuesve kosovarë. Hapësirë e dyfishuar, pjesëmarrje e madhe e botuesve, promovime, përvjetorë, larmi titujsh, janë disa prej elementeve me të cilat organizatorët, dëshmojnë se “ky panair i librit do të jetë shumë më ndryshme sesa edicionet e kaluara”. Një ditë para se i pari i kulturës në vend, Lutfi Haziri, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, të presin shiritin e këtij panairi, organizatorët kanë zbuluar se Panairi i Librit në Prishtinë do të “servojë” rreth 1500 tituj të rinj librash. “E veçanta kryesore e këtij panairi është se do të mbahet në nivelin e panaireve të tjera botërore. Ky ka qenë preokupimi kryesor yni si organizator “, ka thënë kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku. Në Panairin e Librit në Prishtinë do të ekspozohen tituj të shtëpive botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva e diaspora. “Do të ketë mbi 40 promovime për të cilat e kemi rezervuar Sallën e Kuqe që të mos kemi promovime në salla improvizuese”, ka thënë Demaku. “Përveç promovimeve po ashtu do të përpiqemi të shënojmë disa përvjetorë, mes së cilëve atë të Gjergj Fishtës, Anton Çettës, Nënë Terezës, Zekirja Rexhës, abetares së Zymit dhe 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ramiz Kelmendi”, ka shtuar ai.
Panairi i Librit në Prishtinë është përkrahur nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë dhe Drejtoria për Kulturë e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Mbi 1 mijë metra katrore, është hapësira në të cilën për shtatë ditë radhazi mbi 100 shtëpi botuese do të ekspozojnë libra në kuadër të panairit të librit “Prishtina 2010”

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›