E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet poeti i shpirtit njerezor, Ndoc Gjetja



Poeti që ka qenë më pran shpirtrave njerëzore në poezinë shqipe bashkëkohore, apo siç e ka cilësuar një studiues, poeti që di me çdo varg ti bjerë bukur tastierës së humanizmit Ndoc Gjetja, ka ndërruar jetë dje në moshën 66 vjeçare nga një sëmundje e rëndë. Autor i disa vëllimeve poetike, Ndoc Gjetja u lind më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Besnik i patundur i bindjeve e prirjeve të veta që në fëmijëri, si një orakull, ai vazhdoi të shkruaj deri në ditët e fundit ashtu siç u shfaq aq i befasishëm kur ishte veç se një gjimnazist në Lezhë. Poezi e thellë, e ndjerë, poezi në të cilën rrëfehet bota e njeriut, intimiteti, mardhëniet njerëzore, madje edhe me sendet rreth e rrotull. Ardhja e tij në letërsi shënoi disi rënien morale të shkëlqimit të improvizuar të poetëve që përbënin triumviratin monist të letërsisë, të cilët, vërtetë dinin të thurnin vargje, i kishin dërguar edhe jashtë për studime zhdanoviane, për të qenë kështu “poetë oborri”, siç i klasifikonte Frederik Rreshpja. Ndoc Gjetja në tërësinë e tij mbeti poet i vërtetë. Poezia e tij qytetare, ndryshe prej poezisë marciale të krerëve të letërsisë, kërkonte tek njeriu, tek përjetimi, tek intimiteti, tek ndjesitë e mira e të bukura. Ajo poezi u bë fort e dashur për lexuesit. Falë kësaj, Ndoc Gjetes i mbetën nga koha e krijimtarisë nën regjimin monist, shumë më tepër poezi se sa atyre që prodhonin me shumicë për të mbushur depot e propogandës komuniste me vepra që i imponoheshin popullit brenda dhe, falë parave pa kursim që jepte regjimi.

Krijimtaria e Ndoc Gjetjes
Krijimtaria e Frederik Rreshpës e Ndoc Gjetjes bashkuar me atë të Jorgo Bllacit e ndonjë tjetër, ishin gjithashtu sfida që ju bë poetëve të elitës së diktaturës. Frederikun pesimist e të zymtë që guxoi të flasë, e burgosën, Jorgo Bllacin e Sadri Ahmetin po ashtu. Ndocin që këndonte për njeriun e “vogël”, rrethanorin, e mbajtën pranë duke e konsideruar një poet provincial i parrezikshëm. Por duhet thënë se Ndoc Gjetja, pavarësisht një farë konformizmi, për shkak të fatalitetit të lindjes nën diktaturë, kurrë nuk e kishte toleruar kërkesën ndaj artit të vërtetë. E vunë të drejtonte një revistë të vogël me titull “Ekran” rreth të cilës mblidheshin më së shumti krijuesit e filmit dhe teatrit. Kështu poeti lezhjan, por i lindur në Berdicë të Shkodrës mbijetoi. Në verë të vitit 1993, Ndoc Gjetja u gjend në një kurs në Athinë dhe me të thuajse takohesha përditë. Koha kish bërë të vetën, tranzicioni në vend që t’a shpëtonte po e shkatërronte njeriun. Poetët e ndjenin vetën të braktisur. Ndoc Gjetja fliste me vete i tërhequr në botën e tij,... e shkruante. Poezia merrte tone proteste. Trajta dhembje. Dhembje njerëzore, siç gjithmonë i kish ndjerë e vuajtur në shpirtin e tij. Ja si u drejtohej lexuesve të vet: Tridhjetë vjet e shtrylla talentin/ në një nga zyrat e shtetit monist/me këpucë të vjetra e përshkoja qytetin/ dhe gjithë njerëzit i doja si Krisht. Kohët ishin diametralisht të kundërta, por thelbi i vuajtjes njerëzore mbeti, veç në trajta e forma të reja: O koha tranzicioni, kohë bishtdhelpre!/Si të ranë brakushet kështu poshtë këmbëve!/Unë po shkoj të mbyllem në Monastrin e Vetes/derisa të kryesh jashtëqitjen tënde. Për Ndoc Gjetjen vazhdoi kalvari i mundimeve që e bëri fytyren e tij akoma më të përvujtun. Poeti i penws letrare u largua nga Tirana e u kthye në vendlindje. Me botimin e vëllimit poetik “Dhjata ime” botim i vitit 1998, ai ja kushtonte me pikëllim të birit të vet Renit. Tragjedia në jetën e poetit u bw pjesw edhe e poezive tw tij me tone pikëllimi. Artistet e mëdhenj edhe tragjeditë e dhembjet i kanë të mëdha, ndaj dhe veprat e tyre janë aq mbresëlënëse dhe tronditëse, sepse artistet nuk qajnë me lot, qajnë me shpirt e qajnë me art, me një art që e tejkalojnë jetën e një njeriu, për tu rrokur në shpirtrat e brezave të tjerë. Mortja s’ka çfarë u bën poeteve, artistët e mëdhenj kanë lindje, por vdekja u harrohet. Kushdo që e ka njohur poetin dhe poezinë e tij, e di mirë se Ndoc Gjetja, si me pare edhe me pas, mbeti poeti që shkroi poezi për botën shpirtërore të njeriut,… dhe vetë ai ishte dhe mbeti njeriu i përvujtun, i thjeshtë, i vërtetë, poeti me fytyrën e Jezu Krishtit në poezinë shqipe. Ajo fytyrë Krishti e mbuluar me një dhembje hyjnore, një prej poetëve më në zë të letërsisë së sotme shqipe, zëri më njerëzor, mjeshtëri i penës shqipe shuhet nga një sëmundje...

Titujt e librave të botuar
1. Rrezatim (1971)
2. Shqiponja rreh krahët (1975)
3. Qëndresa (1977)
4. E përditshme (1982)
5. Çaste (1984)
6. Poezi -Kolana "Poezia Shqipe" (1987)
7. Kthimet (1991)
8. Dhjata ime (1998)

Autoportret
Vendbanimi: Në Lezhë dhe mendjen emigrant në yje.
Profesioni: Thurës ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre.
Gjendja sociale: Mbetje teknologjike e administratës shtetërore se nuk diti t'u japë përkuljet e duhura eprorëve.
Gjatësia: E mjaftueshme për të arritur mollën e ndaluar.
Pesha: Sa vetja, sa ëndrra, sa fjala e thënë dhe e shkruar.
Shenja të veçanta: Një pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë dhe një mjekër e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Sytë: Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura.
Ngjyra: E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.
Titujt: I dekoruar Njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna.
Bindjet: Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm Njeriu.
Antipatitë: Burrat me Grada, gratë me shumë tule dhe miu.
Simpatitë: Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançës dhe Buda.
Frikërat: Shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi: Në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë.
Pasuria: Drita e mendjes me të cilën fitoi varfërinë.
Ndoc Gjetja nga vëllimi poetik "Dhjata ime"

Epitaf për veten
Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë.

Kur pa që ëndërra kalkulohej me kompiuter
kur pa që idealet rrëzoheshin në kolltuqe
kur jepte buzëqeshje e merrte skërmitje
zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

Dhe shkoi e hyri në Manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes
...Pastaj e përcollën te banesa e fundit
me shpenzimet gratis nga Bashkia e Lezhës.

Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri: "Nënë"
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.
Ndoc Gjetja nga vëllimi poetik "Dhjata ime"

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›