Çelet Universiteti Metropolitan i Tiranës
Këshilli i Ministrave licencoi dje një shkollë të re private, Universitetin Metropolitan të Tiranës, e cila do të ushtrojë veprimtarinë në qytetin e Tiranës. Vendimi parashikon se shkolla private e arsimit të lartë Universiteti Metropolitan Tirana do të organizohet në dy fakultete: atë të Inxhinierisë dhe Shkencave të Aplikuara dhe në Fakultetin e Ekonomisë. Fakulteti i Inxhinierisë dhe Shkencave të Aplikuara do të ofrojë programet e studimit të ciklit të parë në Inxhinieri civile; dhe Inxhinieri kompjuterike. Ndërkaq, Fakulteti i Ekonomisë do të ofrojë programet e studimit të ciklit të parë në Menaxhim biznesi dhe Informatikë ekonomike.
Shkolla private e arsimit të lartë Universiteti Metropolitan Tirana të ofrojë programet e studimit të ciklit të parë, me kohëzgjatje 3 (tri) vite akademike dhe me plotësimin e, së paku, 180 krediteve. Në përfundim të këtyre programeve të studimit lëshohet Diplomë e Nivelit të Parë (DNP) në Inxhinieri civile; Inxhinieri kompjuterike; Menaxhim biznesi; Informatikë ekonomike, - përcakton vendimi.
Sipas tij, ky universitet duhet ti nënshtrohet procesit të akreditimit institucional dhe të programeve të studimit brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.