Çelen programe të reja në universitetet publike
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje çeljen e një sërë programeve studimore në universitetet publike në vend. Në këtë mënyrë, maturantët ose të diplomuarit e këtij viti, përveç degëve që kanë qenë të hapura, do të mund të mund të aplikojnë edhe në degët e reja. Kështu, qeveria miratoi hapjen e programit DND në Filozofi Sociale në Universitetin e Korçës, me 20 kuota pranimi, 2 prej të cilave do të jenë për studentë nga trojet dhe me tarifë 60 mijë lekë të reja. Universiteti Politeknik i Tiranës do të ofrojë prej vitit të ardhshëm akademik programin bachelor, Inxhinieri ekonomike me kohëzgjatje trevjeçare, ndërsa Universiteti i Vlorës do të hapë dyert edhe për maturantët që dëshirojnë të vijojnë programe të ciklit të parë në Matematikë-Fizikë dhe Akuaristikë. Universiteti i Elbasanit do të lëshojë nga viti i ardhshëm Diploma të Nivelit të Dytë në Gjuhësi, me 20 kuota pranimi, 2 prej të cilave do të jenë për studentë nga trojet dhe me tarifë 60 mijë lekë të reja; ndërkohë që Universiteti i Korçës çel programet e nivelit të parë në Biologji-Kimi, Histori-Gjeografi dhe Cikël i Ulët dhe Anglisht në Ciklin Fillor. Vendime të tjera parashikojnë hapjen e programit Master i Nivelit të Parë në Teknik imazherie në Fakultetin e Infermierisë të Universitetit të Tiranës, si edhe disa Mastera të Nivelit të Dytë në Universitetin privat Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi.