Çelet ekspozita Onufri "Piktura e jetës moderne"
U çel edicioni i 18-të i konkursit të artit figurativ “Onufri”. Me titullin "Pikturat e jetës Moderne", 22 artistë kanë sjellë veprat e tyre në skulpturë, pikturë, vizatim dhe fotografi. Kjo ekspozitë është një përpjekje për të ndërtuar një mënyrë të pari mbi artin shqiptar, duke u nisur nga nocioni i modernitetit.
“Piktura e jetës moderne” vihet në gjurmim të modernitetit në Shqipëri, duke sjellë në vëmendje fotografi të viteve 1915-1930, piktura të viteve 1960-1980, për të ardhur tek arti i ditëve tona.
Moda, veshja, uniforma, figura e gruas apo e burrit, përshkrimi i aspekteve kryesore të jetës si prodhimi, argëtimi, koha e lirë dhe estetika në ndryshim të vazhdueshëm janë në qendër të kësaj ekspozite.
“Piktura e jetës moderne” apo kërkimi i modernitetit është një përpjekje, sipas autorëve për ta çliruar artin nga klishe dhe formate të ditës, të cilat e tipizojne dhe kategorizojnë atë nën terma.
Ky konkurs vitin e shkuar u fitua nga piktori i njohur Gazment Leka. Ekspozita do të qëndojë e hapur për të gjithë artëdashësit nga data 22 dhjetor deri në datë 5 shkurt.