E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelet "sezoni" i virozave dhe helmimeve nga ushqimet

Temperaturat e nxehta dhe të parakohshme të stinës së verës kanë stimuluar këto ditë fluksin e pacientëve në urgjenca. Pacientë me temperaturë të lartë, shqetësime gastro-intestinale dhe helmime. Ndërsa specialistët e higjienës po përgatisin një raport të detajuar lidhur me sëmundjet ngjitëse, të shkaktuara nga mungesa e higjienës apo uji i pijshëm, statistikat e QSUT-së raportojnë një listë rastesh me probleme shëndetësore, që hyjnë e dalin çdo ditë në spital. Duke nisur nga java e kaluar, në fundjavë dhe dje në ditën e parë të javës së re janë regjistruar më shumë se 150 fëmijë, pacientë kronikë e të moshuar, me viroza të stinës, probleme me ushqimin apo këputje, si pasojë e të nxehtit.

Pediatria dhe kardiologjia janë shërbimet më të populluara, ndërsa shërbimi i infektivit ende nuk e ka kapur "ritmin" e tyre.

Në këtë pavijon paraqiten çdo ditë pacientë me helmime, me shqetësime gastro-intestinale, që grupohen në listën e rasteve "sporadike". Nisur nga temperaturat e larta dhe përafrimi i verës para datës zyrtare, 1 qershor, si dhe nga pacientët që kanë mbushur urgjencat ende pa nisur mirë vera, Drejtoria e Higjienës ka shpërndarë udhëzimet e para pranë poliklinikave dhe qendrave shëndetësore. Në këto udhëzime janë nënvizuar me të kuqe të gjithë faktorët e rrezikshëm për shëndetin e popullatës në përgjithësi dhe fëmijëve apo të moshuarve në veçanti.

Tregjet informale

Veç ujit të pijshëm dhe higjienës personale, problem kronik i popullatës shqiptare mbeten tregjet informale. Ato janë aq shumë dhe të përhapura, sa dhe vendosja e një inspektori për lagje, nuk do ta minimizonte shqetësimin e tregtimit të një liste produktesh në mes të trotuarit apo në rrëzat e pallateve.

Sipas specialistes në Drejtorinë e Higjienës, Vojsava Sulçe, tregjet informale mbeten një problem i madh. Por janë disa ushqime specifike, të cilat janë të rrezikshme, në mënyrë të veçantë për stinën e nxehtë të verës. "Në stinën e nxehtë rreziku i ndotjes mikrobike të ushqimeve është shumë i madh dhe pasojat për shëndetin janë të rënda. Konsumatorët duhet të bëjnë kujdes ndaj mishit, peshkut, qumështit, vezëve", sqaroi Sulçe. Sipas saj, njësitë e prodhimit dhe tregtimit duhet të jenë të pajisura me leje higjieno-sanitare, të kenë kushte higjienike të ambientit, të mjekëve të punës, dhe punonjës të pajisur me libreza shëndetësore. Njësitë duhet të jenë larg vendgrumbullimit të mbeturinave. "Evitoni blerjet në rrugë, zbatoni rregullat e higjienës personale, të ushqimit, të mjedisit ku gatuajmë, të ruajtjes në vende të pastra", sqaron udhëzimi i Drejtorisë së Higjienës. Ushqime të tjera nga të cilat duhet të bëjmë kujdes janë: vaji i ullirit, vera, turshitë, bulmeti, petat e byrekut që shiten në njësi tregtimi, si dhe ëmbëlsira me vezë, sheqer, qumësht, akull.

Akulloret

Akulloret dhe nënproduktet e saj janë ëmbëlsirat më të dashura për stinën e verës. Në mënyrë të veçantë për fëmijët. Drejtoria e Higjienës i ka kushtuar një udhëzim të veçantë këtij produkti. Mjekët duhet ta shpërndajnë informacionin pranë popullatës.

Ja se si e sqaron higjiena informacionin për akulloren:

"Akullorja e ambalazhuar duhet të ruhet në ngrirje. Produkti i freskët ka pamje kremoze. Akullorja me copa akulli nuk është e freskët, është e mbetur. Akullorja e shkrirë apo me përmbajtje veze është terren për zhvillimin e mikrobeve.

Këshillat

Të moshuarit të evitojnë alkoolin

Të moshuarit dhe fëmijët janë ata që kanë problemet më të mëdha dhe që rrezikohen më tepër nga temperaturat e larta, virozat e stinës, probleme me shëndetin. Në kohën kur temperaturat maksimale janë 33 gradë celsius, të moshuarit dhe fëmijët nuk duhet të dalin gjatë ditës, përveç se në mëngjes dhe në darkë. Ndërkohë që mosha e tretë duhet të zbatojë me rigorozitet, rregullat e higjienës, prindërit nuk duhet t‘i veshin trashë fëmijët, duhet t‘i bëjnë banja të freskëta të paktën 4 herë në ditë, t‘i ushqejnë ata me lëngje vitamina dhe t‘i shëtisin në vende të freskëta dhe me gjelbërim.

Sakaq, të moshuarit nuk duhet të konsumojnë pije alkoolike, pije me përmbajtje kafeine. Mosha e tretë duhet të evitojë daljet në pikun e diellit dhe punët e rënda. Shqetësimet shëndetësore nuk duhen anashkaluar. Secili duhet të paraqitet menjëherë të mjeku për çdo komplikacion.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›