Çelsi, 80 milionë euro për dy milanistët Pato dhe Tiago Silva
çelsi lëshon një ofertë marramendëse: 80 milionë euro për Aleksandre Paton dhe Tiago Silvën. Blutë e drejtuar nga Karlo Ançeloti janë vetëm një hap larg fitimit të titullit në Premiership. Trajneri, i cili do të regjistrojë një triumf të rëndësishëm që në sezonin e parë në krye të stolit, i ka kërkuar pronarit Roman Abramoviç dy yjet e Milanit, për të tentuar triumfin në Champions League gjatë sezonit të kaluar. Ançeloti ka fituar thuajse gjithçka nga trofetë që i ofronte Anglia: “Community Shield” (Superkupën e Anglisë) në ndeshjen e parë me çelsin përballë Mançester Junajtid, është në avantazh në garën për Premiershipin dhe më 15 maj do të luajë në finalen e “Uemblit” kundër Portsmuthit për FA Cup. Pas verës së vitit 2009, ku ka pranuar vullnetin e punëdhënësit të tij, i cili përforcoi skuadrën vetëm me mbrojtësin rus, Zhirkov dhe me sulmuesin Sturrixh, tashmë Ançeloti po përgatitet ta ndërtojë skuadrën sipas filozofisë së tij. Puna e tij do të lehtësohet edhe nga fakti se buxheti në dispozicion për merkaton e ardhshme do të jetë të paktën 100 milionë euro. Pato dhe Tiago Silva janë dy objektivat kryesorë, por trajneri i çelsit mund të vendosë t’i përgjigjet edhe “thirrjes” për ndihmë të Rikardo Kakasë, i cili ka zhgënjyer në sezonin e tij të parë me Realin e Madridit. Duke parë edhe presionin e jashtëzakonshëm që po përjeton në “Santiago Bernabeu”, mesfushori brazilian do ta pranonte një ftesë për t’u “rigjeneruar” nën drejtimin e teknikut që e shndërroi në një yll të nivelit ndërkombëtar.
Pas ofensivës së radhës nga Anglia për Paton, i menjëhershëm ka qenë reagimi i administratorit të Milanit, Adriano Galiani. Ai hedh poshtë zërat se klubi po mendon të mbushë arkat me shitjen e 20-vjeçarit dhe këmbëngul se sulmuesi brazilian do të vazhdojë të luajë në “San Siro”. “Jam 100 për qind i sigurt se Pato do të qëndrojë me Milanin dhe nuk do të largohet. Nuk kemi ndërmend që të nxjerrim në shitje lojtarët tanë më të mirë”. Dje lojtari ka rifilluar stërvitjen e plotë me skuadrën dhe pritet të jetë i gatshëm për sfidën e së dielës, ku kuqezinjtë e drejtuar nga Leonardo do të luajnë përballë Xhenoas.
#