Çelsi shpall ankandin: Vjen ai që sjell Champions Laegue
Përshkrimi i punës për trajner të ri te Çelsi është shumë i qartë, skuadra nga Premier League kërkon trajner që garanton se do të fitojë Ligën e Kampionëve, në të kundërtën do të shkarkohet pas një sezoni. Prej kohës kur Çelsin e bleu rusi Roman Abramoviç, para tetë edicionesh, janë ndërruar shtatë trajnerë. I fundit është italiani Karlo Ançeloti, që u shkarkua pas ndeshjes me Evertonin të dielën mbrëma, pasi mbylli edicionin pa trofe. Në komunikatën e Çelsit thuhej se "Ançeloti u shkarkua, pasi skuadra nuk arriti synimet e veta". Kandidatët për postin e trajnerit te Çelsi, si Marko Van Basten, Gus Hidink, Andre Vilas Boas e Herri Redknap duhet ta kenë parasysh se vendi i dytë në Premier League nuk është i pranueshëm dhe shpëtimi vjen vetëm nëpërmjet trofeut të Ligës së Kampionëve. Për shkak të fiksimit të Abramoviçit për Ligën e Kampionëve, shumë trajnerë të zotët kanë humbur punën, ndër ta edhe Zhoze Murinjo. Por, ky i fundit po përmendet sërish si një opsion për t'u kthyer në "Stamford Bridge". Portugezi mbetet trajneri më i suksesshëm në histori të ekipit londinez. "Vështirë se mund të largohet Murinjo nga Real Madridi, sepse ai do të rrijë aty edhe edicionin e ardhshëm. Do të mundohet ta thyejë dominimin e Barcelonës", ka thënë një zyrtar anonim i Çelsit. "Nuk do të befasohesha nëse Murinjo rikthehet në 'Stamford Bridge', pasi ai është larguar me marrëveshje dhe në mënyrë shoqërore". Përderisa Murinjo është te Reali, portugezi tjetër Vilas Boas ka marrë nofkën "Murinjo i ri" dhe po vështrohet nga afër nga Çelsi. Ish-asistenti i Mou këtë edicion ka fituar katër trofe me Porton, përfshirë këtu edhe Europa Leaguen. Për 33-vjeçarin që ka klauzolë largimi për 15 milionë euro, do të ishte sfidë e madhe të synonte Ligën e Kampionëve me londinezët në edicionin e ardhshëm.
Kandidati më i mundshëm duket të jetë ish-trajneri Hidink, i cili ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit në "Stamford Bridge". Ai ka kontratë me Federatën e Futbollit të Turqisë deri në qershorin e vitit 2012. "Është e mundur që edhe Redknap të jetë trajneri ynë i ardhshëm. Ai me Totenhemin bëri mrekulli në Ligën e Kampionëve dhe është trajner që i mungon trofeu i Ligës së Kampionëve. Pra, ai dhe Çelsi kanë këtë të përbashkët", u shpreh zyrtari londinez. Sipas tij, cilido trajner që emërohet nuk do të qëndrojë më shumë se një edicion, nëse nuk arrin të fitojë menjëherë trofeun e Ligës së Kampionëve.