erdhet e Tiranes 10 vjet pa investime dhe pa projekte

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka garantuar sot, se investimi në çerdhet e kryeqytetit do të jetë i qendrueshëm dhe afatgjatë. Gjate inspektimit të punimeve në çerdhet nr. 47 dhe 50, z. Basha u shpreh i vendosur për të tejkaluar shpejt këtë situatë aspak normale në çerdhet e kryeqytetit.
“Bashkia me buxhetin e vet, të arrijë të tejkalojë këtë prapambetje të madhe, sa i përket standardit të çerdheve në kryeqytet. Duke u kërkuar edhe njëherë ndjesë për standardin e munguar në këtë dekadë të fundit, dua të siguroj prindërit e sotëm dhe ata të ardhshëm, që sistemi i çerdheve në Tiranë do të ketë të gjithë parametrat modernë, që i takojnë një vendi anëtar të BE, në termoizolim, në ngrohje, në shtrimin e ambienteve me materiale të përshtatshme për fëmijë si dhe në dhënien e atyre kushteve që sot janë normalitete në shumicën dërrmuese të shtëpive të kryeqytetit, si për shembull tharja me aparatura dhe jo me tela, siç ndodh aktualisht në ne çerdhet e kryeqytetit”- u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Investimet e fundit në sistemin e çerdheve janë regjistruar në vitet 2002-2003, po që nuk i dhanë zgjidhje problemeve si ngrohja, termoizolimi, izolimi nga lagështira, krijimi i ambienteve të përshtatshme apo ambientet për edukatorët, nyjat sanitare të standardeve normale. Pavarësisht ndërhyrjeve para 10 vitesh, në çerdhe është sërish modeli i banjave “alla turka”.
“Prej kësaj periudhe (2002-2003), në çerdhet e kryeqytetit nuk është vënë dorë. Jo vetëm kaq, por nuk ka pasur as projekte të gatshme dhe kjo është arsyeja se pse ne jemi të vendosur që ta kthejmë këtë në një prioritet absolut për Bashkinë, në mënyrë që brenda vitit të ardhshëm, të gjithë çerdhet ekzistuese të kenë të zgjidhur totalisht paketën e ndryshimit, paketën e rinovimit, duke përfshirë edhe aparatura moderne larëse dhe tharëse, pra duke shmangur praktika të cilat i mbaj mend që kur kam qenë vetë në çerdhe. Një tjetër risi është edhe sistemi i ngrohjes. Sistemi i ngrohjes, si në çdo institucion publik ka qenë i varur nga karburanti, nga tenderët e karburantit dhe nga harxhimet e kontrolluara apo të pakontrolluara.
Kthimi në ngrohjen me peleta, jo vetëm që është një hap përpara në drejtim të Tiranës së gjelbër, pra përdorimit të materialeve të ricikluara, por është njëkohësisht një material me kosto më të ulët (kostoja është sa gjysma e kostos së përdorur apo harxhuar deri tani nëpërmjet karburantit) dhe është një material i cili përdoret ekskluzivisht për institucionet publike, pra që nuk mund t’i ndërrohet lehtë destinacioni” – theksoi Kreu i Bashkisë Lulzim Basha.
Projekti i rikonstruksionit të këtyre çerdheve, të cilat do t’u shërbejnë rreth 200 fëmijëve të njësive bashkiake 7 dhe 1 parashikon zgjerim të hapësirës, riorganizim të ambienteve, duke mundësuar krijimin e sipërfaqeve të lojës, fjetjes, kuzhinës e lavanderisë, dhomë mjeku dhe psikologu etj.
Në të dy çerdhet do të ribëhet sistemi i ndriçimit të brendshëm e të jashtëm, rrjeti hidraulik. Do të instalohet sistemi i ngrohjes qendrore, ndërsa fasadat ekzisuese do të vishen me kapotë termike anti - zjarr. Një kujdes i veçantë do t’i kushtohet sistemimit të sipërfaqes së jashtme, e cila do të jetë e gjelbëruar, do të vendosen pemë, stola si dhe kënde lojërash. Afati i punimeve do të jetë 6 muaj.