E Shtunë, 31 Tetor 2026

është koha e romancave

Violina është një vegël romantike. George Petrov, dirigjenti grek që e ka nisur rrugën drejt dirigjimit pas një karriere si pianist, do të thoshte të njëjtën gjë edhe për pianon. Muzika të shtyn gjithnjë drejt romancave dhe ndonjëherë nuk ka rëndësi në i gjen ato, për sa kohë kur ti ndjen nevojën për të dashur teksa dëgjon tingujt e violinës.

Më 20 prill, në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, do të ngjitet një koncert premierë për violinë dhe orkestër. Soliste e këtij koncerti është violinistja e parë e TOB-it, Suela Picirri, ndërsa dirigjent George Petrov. Për herë të parë do të luhet në vendin tonë Dvorak, si dhe muzikë nga Çajkovski. "Dvorak-u interpretohet për herë të parë në Shqipëri. Kjo pjesë është shkruar në periudhën kur Dvorak-u ka shkruar Simfoninë e 5 dhe 6", thotë Picirri.

Për Suelën, ky koncert është një përvojë e veçantë, jo vetëm për faktin se për herë të parë interpretohet muzikë nga Dvorak, por dhe se këto koncerte janë gjithnjë e më të pranishme në skenat botërore. Ajo e quan një sfidë ndaj vetes eksperimentimin në pjesë të panjohura për publikun tonë, aq më tepër kur këto koncerte përcjellin ndjesitë e një romance.

Optimist për koncertin e së dielës është dhe Petrov. Për të, violina e Picirrit është e kalibrit evropian dhe ndjehet mirë që do të jenë bashkautor të kësaj mbrëmjeje. Por si mbërriti Petrov-i në këtë koncert?

"Përpara disa muajsh, ambasada greke në Tiranë bëri një bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit për të kujtuar këngëtaren e njohur greke, Maria Calles. Unë isha i ftuar për të drejtuar orkestrën e TOB-it me këngëtaren greke Mata Katsulis. Në atë kohë u njoha me violinisten Picirri, e cila më bëri përshtypje për nivelin e performimit të saj", thotë Petrovi. Ai ndan përshtypjet më të mira për nivelin profesional të orkestrës së TOB-it dhe mendon se ky nivel do të tregohet edhe në koncertin e së dielës.

Publiku do të ketë mundësi të dëgjojë në këtë koncert Çajkovskin me "Romeo dhe Zhuljeta" në uverturë, si dhe Dvorzhak, koncert për violinë dhe orkestër.

Për Picirrin dhe Petrov-in, Çajkovski dhe Dvorzhak janë autorët që mund të sjellin orë vërtet të bukura në skenën e një teatri.

Petrov-i ka një karrierë e cila e çon atë në sallat më të mëdha botërore, përfshirë "Barbican Hall", "Queen Elisabeth Hall", "Wigmore Hall", në Londër, etj. Ai ka dirigjuar shumë koncerte të muzikës Barok dhe duke interpretuar si solist. Po ashtu ka dirigjuar operat më të rëndësishme të Handel si opera "Oreste", "Arianna in Creta", "Tamerlano" etj.

Ndërsa Suela Picirri është soliste dhe koncertmaestër e orkestrës së TOB-it prej nëntë vitesh. Ajo është një nga artistet e reja më prodhimtare e të vlerësuara. Interpretimin e Antonio Dvorzhak ajo e bën për herë të parë në skenën tonë. Duket se Suela këtë vepër e do. Në këtë bashkëpunim ajo thotë se e ndjen veten "të përkëdhelur" nga kujdesi që po tregohet për realizimin e koncertit si nga TOB-i, Ministria e Kulturës, ashtu dhe ambasada greke në Tiranë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›