E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çështja Kastrati, Legisi dhe 97`a e mallkuar e politikës!

Ajo që ndodhi në Kuvendin e Shqipërisë, ishte padyshim një "show"i turpshëm, që po u mbush përditë e më shumë mendjen shqiptarëve se kanë mbi krye një klasë politike krejtësisht të papërgjegjshme, të etur për pushtet dhe privilegjet e tij. Kur kalojmë shpesh para Kryesisë së Kuvendit (ish ndërtesa e Komitetit Qëndror të PPSH-së) nuk ka sesi të mos ndalojmë për të parë fotot bardhë e zi, të deputetëve të parë shqiptarë. Megjithatë, nostalgjia dhe nderimi veniten, teksa mendon për "baballarët e sotëm të kombit”. Sigurisht ka edhe përjashtime këtu, në të dy kahet por në tërësi politika shqiptare është duke u kallangjisur në të pëgërët e saj. Si mund të jenë shembull për të tjerat dhe për respektim ligji, këta njerëz që e shkelin atë më të dy këmbët, para kamerave të televizioneve? Batuta e Çajupit tek "Përrallë nga e Kaluara"se "Ligji, është si puna e atij shkopit në dorë të Maliqit”, të bën të besosh se gjithë brezat e shqiptarëve që kanë jetuar nën këtë shtet, nuk janë vçse fatkeqë që i ka mbajtur dhe i mban shpresja e ikjes, ikjes një orë e më parë nga ky vend. E ç`të mos shkruajë AA Gill dhe Gillos-ë të tjerë kur shohin, se ata që e drejtojnë këtë vend, ç`thonë në darkë s`e thonë në ag? E keqja e shkrimit të tij, ishte se kishte qëndruar shumë pak mbi atë që duhej të qëndronte më shumë, klasën e dështuar politike, të kalbur, të inkriminuar dhe skizofrene që kanë mbi krye shqiptarët. Më vjen në mendje ajo thënia e bukur orientale, që më lëndon kur e kujtoj "Sipas kokës, festen”!!! Do thotë ndonjëri, "e mo mirë, se kështu rrihen edhe në Japoni, në Kore…në Filifistun…”. Por mor miq, rrihen edhe atje, si kali në lëmë. Por puna është se atje, çdo gjë bëhet sipas ligjeve dhe jo politikës. Atje shtrimi i 5 metrave trotuare, uji dhe dritat apo ndërtimi i një mbikalimi, nuk është i varur nga politika. Atje dora e majtë nuk e bllokon asnjëherë të djathtën dhe anasjelltas. Gjithsesi qëllimi i këtij skrimi, nuk ishte analiza e atyre që kemi pasur, kemi sot dhe do të kemi në krye. I mbetet gjithësecilit t`i analizojë hollë-hollë, dhe në fund t`i vlerësojë ata njerëz, por vlerësimi duhet të vijë nga veprat dhe jo nga fjalët. Duke lexuar shtypin, mësuam se më në fund ishte zbardhur edhe vrasja e bujshme e doktor Behar Kastratit, kryetar i Partisë Demokratike të Hasit. I ndjeri u zhduk në kohën e zgjedhjeve parlamentare të 2005-ës! Kujtojini pak ju lutem reagimet politike të asaj kohe!!! U arrit deri aty, saqë partia e tij, kërkoi që ai të shpallej Hero i Demokracisë sepse ishte vrarë për arsye politike (duke aluduar kundërshtarët politikë). Ata që s`e kujtojnë të hapin shtypin e asaj kohe. I ftoj ata që të lexojnë edhe shtypin e sotëm e të verifikojnë, sesa të përgjegjshëm janë liderët tanë, që fjalën e fundit e thonë të parën, dhe as që u bën përshtypje! "Prokuroria: Behar Kastrati është vrarë për hakmarrje”, është shpjegimi i gjithë asaj gurguleje, që fare mirë mund të hedhë në zjarr gjithë këtë stabilitet të brishtë që gëzon ky vend i denjë për shkrimet e AA Gill-it! Një ditë më parë, Kuvendi "u ekzaltua"nga fjalimi i Ndre Legisit, për armë e gjak, trupa e vrasje… Ne që kemi përjetuar 97`ën, sado trima që dukemi e sado cuba veriu a jugu hiqemi, na dridhën këmbët kur e kujtojmë. Adrenalina arrin kulmin, kur funksionarë e ish-funksionarë i bien me top, duke i kujtuar këtij populli gjëmën që i kanë bërë. Ata jo vetëm që s`punojnë që ajo plagë të mbyllet, por rrasin aty edhe thonjtë dhe gjakosin ndjenjat e shqiptarëve. Ata përpiqen të luajnë më turmat siç kanë bërë shpesh, por dikush duhet tu kujtojë se numri i militantëve është pakësuar shumë, dhe kërrkujt s`ja ndjen më për tu mbledhë në sheshe, gati për tu manipuluar sërish! Të gjithë e kanë kuptuar se s`ja vlen të sakrifikosh, sepse idealizmi ka vdekur fillimisht atje në majë, ku ëndërra dhe dëshira për pushtet është gati të dërgojë në hale një vend të tërë! Zoti na ruajtë nga politika!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›