E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur eksperimentohet mbi fëmijët!

Dukuria e Kiufiuizmit

Po të vëzhgosh me vëmendje marrëdhëniet prindër - fëmijë në familjet e sotme shqiptare, ndesh jo rrallë një dukuri në shikim të parë të çuditshme, por jo të pashpjegueshme. Fjala është për një farë manie të prindërve, kryesisht të nënave për të çuar fëmijët, në vçanti vajzat, në kurse të ndryshme, ku më të preferuarat janë ato të gjuhëve të huaja. Fjala është për kurset gjithëvjetore dhe jo ato në prag të konkurseve të pranimit në shkollën e lartë. Situata bëhet disi edhe më tragjikomike, kur sheh se "viktima"të kursomanisë bëhen dhe fëmijët. Të shkretët! Nuk i lënë të qetë në botën e tyre të natyrshme të lodrave dhe përrallave, por u kërkojnë edhe atyre që të paguajnë "haraçin"e "grandomanisë"së nënave të tyre. Kalamajve të gjorë u duhet të mësojnë patjetër anglisht dhe kompjuter, në mënyrë që mamatë e tyre të kenë me se të mburren para të tjerëve. Dhe të vjen ndërmend një estradë e dikurshme, ku personazhi kryesor, i quajtur Kiu, dërgohej nga Kooperativa në lloj-lloj kursesh kualifikimi: për bletët, fizarmonikën, higjienën në familje etj. Dhe Kiu fiu nga një kurs në tjetrin e punë tjetër nuk bënte.
Këtu problemi nuk qëndron se çohen fëmijët (ata të moshës së shkollës së mesme!) në kurse, sepse dihet që, të themi, kompjuteri nuk mësohet në përgjithësi në lëndën e informatikës në shkollat e mesme. Po ashtu është e vështirë, edhe për shkak të numrit të madh të nxënësve në klasa, që të mësohen mirë gjuhët e huaja që zhvillohen në këtë nivel të shkollimit. Nga ana tjetër, janë të njohura kërkesat për zotërim të programeve kompjuterike dhe të gjuhëve perëndimore si kusht për të çarë në jetë të rinjtë e sotëm. Natyrshëm prindërit do të aspirojnë që fëmijët e tyre t'i kenë këto avantazhe aq të kërkuara sot dhe, në varësi të mundësive të tyre financiare, nuk do të hezitojnë që të investojnë që ata t'i fitojnë ato në kurse private. Fjala është për ato raste kur prindërit i çojnë fëmijët në dy ose më shumë kurse të gjuhëve të huaja dhe, si "thelë mbi bisht”, edhe në ndonjë kurs tjetër, të themi për kompjuter. Në këtë rast fëmija e tyre duhet të përballojë ngarkesën fiziologjike dhe psikike që ka nga angazhimi në shkollë, plus edhe atë që vjen nga ndjekja e disa kurseve gjithëvjetore. Cili është rezultati i kësaj "lufte në disa fronte”? Shpërqëndrim vëmendjeje dhe konsum i lartë i parakohshëm i forcave intelektuale, stres i panevojshëm, rreziku që nga lodhja të vijnë ezaurimet nervore ose, të paktën, një zvjerdhje ndaj shkollës dhe të mësuarit në përgjithësi. Shihet se fëmija në këtë rast rrezikon të humbasë shumë në emër të fitimit të disa dëshmive kualifikimi. Natyrisht që këtu nuk bëhet fjalë për rastet e vçanta të fëmijëve të talentuar në përvetësimin e gjuhëve të huaja apo intuitë të theksuar informatike. Por këto janë në përgjithësi raste të pakta. Në më të shumtën e rasteve kursomania nxitet ndaj fëmijëve me "parametra"të zakonshëm.

Përse-ja e kursomanisë
Në mjaft raste, shkaku i vërtetë që i shtyn prindërit për të "kiufiuizuar"fëmijët e vet nuk është kërkesa e kohës për njohuri në gjuhët e huaja dhe në kompjuter. Kjo është dukja apo preteksti. Po të shkohet më thellë, mund të zbulohet se arsyeja e vërtetë, që është e fshehtë, ka të bëjë më shumë me një farë kompleksi inferioriteti. Prindi, në përgjithësi nëna, torturohet nga mendimi se nuk është aq e zonja sa të tjerët. Mundet që të mos ketë bërë shkollë të lartë, ose të mos ketë dalë me rezultate të larta në shkollën e lartë. Në këtë rast Uni dhe Vetja "zhvillojnë"një debat të ashpër brenda saj, ku njeri e qesendis për paaftësi, kurse tjetri "hedh poshtë me indinjatë"çfarëdo aluzioni të tillë. Për të zgjidhur konfliktin duhet një "arbitër i jashtëm”, i cili do t'i japë të drejtë vetëm njërit opsion, ose të paaftësisë, ose në të kundërt, asaj të aftësisë. Prirja e natyrshme psikologjike është ajo egoiste, domethënë në rastin tonë, e dëshirimit me çdo kusht të dëshmisë në të mirë të aftësisë. Që të mund të garantohet arritja e një dëshmie pozitive, subjekti i kompleksit të inferioritetit "eksperimenton"me fëmijën e vet në mënyrë të tillë që të tjerët të binden për aftësitë e kësaj fëmije. Nga kjo bindje vetëm një hap "të ndan"nga pohimi se po aq, në mos po më shumë, të aftë janë edhe prindërit e fëmijës. Pikërisht kjo dëshmi pritet dhe "ndihmohet"që të vijë. Kjo fëmijë është kaq e aftë (sepse ndjek njëkohësisht disa kurse, krahas shkollës), ngaqë sipas thënies popullore "dardha nën dardhë bie”. Pra, ka prindër shumë të aftë. Në se një dëshmi e tillë vjen nga disa drejtime, atëherë mbështetësi i opsionit të aftësisë del fitimtar në "luftën"që zhvillohet brenda subjektit të kompleksit të inferioritetit, duke bërë që ky i fundit të dobësohet e shuhet gradualisht. Kompleksi i inferioritetit kështu mund të mposhtet, por, e pakta që mund të thuhet si vlerësim, është se prindi ka arritur "një fitore si të Pirros”. Pa e kuptuar, ka eksperimentuar me fëmijën e vet dhe në shumicën dërmuese të rasteve kjo sjell pasoja të padëshirueshme sa për fëmijën, aq edhe për të.

Sindroma e "të qenurit modern"
Interesant për nga pikëpamja e shpjegimit është edhe një dukuri tjetër që vihet re kryesisht në qytetet e mëdha të vendit. Ka një prirje të veshjeve të femrave, në vçanti, të vajzave të reja, që është disi ekstravagante dhe që synon të ekspozojë sa më shumë pjesë të trupit të tyre. Në shikim të parë duket sikur gjithçka bëhet për të qenë e kohës, moderne apo sipas modës. Arsyet e vërteta janë, si gjithnjë, më të thella. Nënat e sotme që në kohën e monizmit kanë qenë vajza të reja, ka të ngjarë që pa e kuptuar t'i nënshtrohen një farë presioni të brendshëm psikologjik, që do të mund ta karakterizonim si një farë "zhvendosje në kohë"të realizimit virtual të një dëshire. Propaganda komuniste në kohën e vajzërisë së tyre i cilësonte si moderniste dhe dekadente, midis të tjerave, edhe modat e veshjeve që ekspozonin pjesë relativisht të mëdha të trupit të femrave. Kështu që kjo propagandë ka të ngjarë që të ketë lënë gjurmë të pashlyeshme në pavetëdijën e mjaft vajzave të asaj periudhe në trajtën e shoqërimeve midis cilësimit modernist dhe një veshje disi ekstravagante. Me që në atë periudhë ndjekja e modave të tilla dhe, në përgjithësi e çdo mode, nuk shikohej me sy të mirë nga regjimi, domethënë përbënte një farë "molle të ndaluar"për to, dëshira e lindur në atë kohë për "ta provuar këtë mollë të ndaluar”, domethënë, për të qenë moderne, e cila ka mbetur e fshehur dhe është ruajtur në pavetëdijen e tyre, tani gjen terrenin e përshtatshëm që të realizohet. Vçse është fjala në përgjithësi për një realizim të tipit virtual, jo në bartësen e saj, por e "projektuar"në atë që mund të konsiderohet si "alteregoja"e nënës, te vajza e vet. Me këtë shpjegohet dukuria, në shikim të parë e çuditshme, e nxitjes së vajzave nga nënat për të ndjekur këtë mode ekstravagante. Natyrisht që ky lloj projektimi i realizimit virtual të dëshirave të kahershme nga nënat tek vajzat e tyre, përbën njëherazi dhe një farë eksperimentimi psikosocial, i cili nuk është pa pasoja si për nënën dhe vajzën, ashtu dhe për shoqërinë në tërësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›