Çështja Khan, punonjësja e hotelit flet para publikut

Punonjësja e hotelit në New Jork që akuzoi ish- kreun e FMN-së, Dominik Straus-Khan për ngacmim seksual, doli para publikut në New Jork, ndërsa avokati i saj premtoi se do të bënte një denoncim civil kundër Khan.
Nafisato Dialo, emigrante nga Guinea në Shtetet e Bashkuara, tha se ngjarjet e dy muajve të fundit kanë qenë shumë të vështira për të dhe vajzën e saj. Dialo tha se shumë prej thashethemeve për të dhe të kaluarën e saj nuk janë të vërteta. Më herët, avokati i saj u tha gazetarëve se Dialo do të dorëzojë një denoncim civil kundër Straus-Khan, edhe nëse çështja penale kundër tij hidhet poshtë.
Akuzat kundër ish-kreut të FMN vazhdojnë ende, megjithëse avokatët e tij deklaruan se komentet e Dialos janë përpjekje e saj për të ndryshuar opinionin publik dhe për të marrë para.