Çështja çame, problem politik midis Tiranës dhe Athinës
Projekti
Drafti i plotë i rezolutës së PS: Qeveria duhet të raportojë në Kuvend
Partia Socialiste paraqiti dje një draft alternativ për zgjidhjen e çështjes çame dhe në kuadër të kërkesës së Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet për miratimin e një rezolute në Kuvend për këtë çështje. Në draftin e PS-së bëhet e qartë para së gjithash se çështja çame duhet të trajtohet si një çështje politike në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Aty theksohet se çështja duhet të zgjidhet mbi bazën e së drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me Traktatin e Miqësisë të nënshkruar nga dy vendet. Në mënyrë konkrete, draft-rezoluta e PS-së kërkon që Këshilli i Ministrave të angazhohet për ngritjen e kësaj çështjeje në nivel politik mes dy vendeve dhe po kështu qeveria të raportojë dy herë në vit përpara Parlamentit për zhvillimet lidhur me këtë çështje.
Teksti i plotë
Duke u mbështetur në parimet bazë që udhëheqin vizionin tonë për një Shqipëri europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare; normat e gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare; të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet kombeve; të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të fqinjësisë së mirë; bashkëpunimit rajonal, dhe solidaritetit ndërkombëtar;
Duke vlerësuar se Shqipëria europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare ka në qendër të misionit të saj adresimin e çështjes kombëtare, mbrojtjen e interesave kombëtare, të pavarësisë, lirisë e të sovranitetit të vendit, parandalimin e konflikteve dhe kontributin për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë; Duke e konsideruar të paçmuar mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë në proceset e integrimit euroatlantik të Shqipërisë, marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve tona, dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat si dy vende fqinjë dhe aleate në strukturat euroatlantike; Duke njohur rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në funksion të adresimit të çështjeve me interes të ndërsjellë dhe krijimit të një modeli bashkëpunimi edhe për vendet e tjera të rajonit; Duke e konsideruar çështjen çame si një çështje të patrajtuar në kuadër të çështjes shqiptare në Ballkan; Duke u mbështetur në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë;
Ne, përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë, e konsiderojmë çështjen çame, një çështje politike, e cila duhet adresuar në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Për këtë, i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet diplomatike dypalëshe me Greqinë dhe të raportojë dy herë në vit pranë Kuvendit të Shqipërisë, për ecurinë e kësaj çështje.
Baza Ligjore
E konsiderojmë çështjen çame si një çështje të patrajtuar në kuadër të çështjes shqiptare në Ballkan. Ne jemi mbështetur në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë.
Çështja çame, problem politik midis Tiranës dhe Athinës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email