E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, letër Topallit: Projektligji për Inspektoriatin e ndërtimit antikushtetues

Kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama në një letër drejtuar Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, jep alarmin për papajtueshmërinë ligjore dhe kushtetuese të propozimeve të fundit të qeverisë në ligjin për Inspektoriatin e Ndërtimit.
Sipas Ramës, projekligji i cili rrit kompetencat e Inspektoriatit Kombëtar të Ndërtimit brenda territorit të njësive vendore dhe pa vendim gjykate, është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, por edhe ndaj vendimeve specifike të marra më parë nga Gjykata Kushtetuese çka sipas tij sjell edhe regres në ecurinë reformës së decentralizimit, dhe cënon parimin e autonomisë vendore.
Më tej Rama ka theksuar se edhe dhënia e kompetencave për policinë ndërtimore që të ndërhyjë pa vendim gjyqësor në veprimtarinë e autoriteteve vendore tejkalon standartet kushtetuese dhe normat ndërkombëtare.
Duke i dhënë Inspektoriatit të Ndërtimit atribute vendore krijohen premisa për konflikt të hapur kompetencash dhe pasiguri tek qytetarët, pasi sipas kryebashkiakut të Tiranës ky propozim i qeverisë është kërcënim i hapur për ligjërimin e arbitraritetit e abuzimit të pushtetit.
Më tej në letër Rama thotë se propozimet e qeverisë janë në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës nëpërmjet parimit të ligjshmërisë dhe atij të sigurisë juridike, të sanksionuara në nenin 4 të kushtetutes.
Ndërsa parimi i sigurisë jetike të shprehur në Kushtetutë sipas Rames shkelet sepse sipas variantit të propozuar nga qeveria ligjishmëria nuk mund të zbatohen në të njëjten kohë në mënyrë kontraditore nga dy organe, edhe Inspektoriati Vendor i Ndërtimit dhe ai qëndror i varur prej qeverisë.
Për të gjitha këto argumenta Rama i konsideron propozimet e qeverisë shkelje të hapura, flagrante e të përsëritura të normave e parimeve të shtetit të së drejtës, që bien ndesh me Kushtetutën, ndaj kërkon mosmiratimin e tyre në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›