Çështja e pronave të Konomit, përfaqësuesi i Toptanëve do të merret i pandehur

Zyra në Gjykatën e Vlorës e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi
Flamur Vezaj
TIRANË- Një përfaqësues i familjes Toptani, që dyshohet të ketë falsifikuar dokumentet e pronës së pretenduar edhe nga familja e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi, do të merret së shpejti në pyetje nga prokuroria me cilësinë e të pandehurit. Pikërisht gjatë këtyre ditëve, Prokuroria e Rrethit Tiranë i dërgoi fletë-thirrjen shtetasit Qemal Mullaj, i cili në bazë të letrave të dorëzuara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave rezulton të jetë personi përgjegjës për dokumentacionin e paraqitur nga trashëgimtarët e familjes Toptani. Në këtë mënyrë, javën e ardhshme Mullaj do të jetë i detyruar që të paraqitet përpara trupës hetimore për të dhënë shpjegimet përkatëse mbi pyetjet dhe rrethanat e ngjarjes. Dokumentet e dorëzuara zyrtarisht u konstatua se ishin të falsifikuara.
Mbështetur mbi të dhënat e deritanishme nga hetimet, grupi i task-forcës së ngritur nga prokuroria ka përgatitur fletë-thirrjen përkatëse për shtetasin Mullaj, njeriun që mban përgjegjësi ligjore për falsifikimin e dokumenteve të familjes Toptani. Gjithçka lidhet me 274 hektarë tokë, një sipërfaqe kjo e ndodhur në bregdetin e Gjirit të Lalzit dhe zonës së Hamallajt. Ky terren i madh pretendohet për pronësi nga dy palë trashëgimtarë: ata të trashëgimtarët e familjes së gjyqtarit Konomi dhe të familjes së njohur Toptani. Ndërsa me dokumentacionin dhe çështjet ligjore të palës Konomi merrej vetë gjyqtari i vrarë në Vlorë në muajin shtator, me mbrojtjen e interesave të palës Toptani merrej Qemal Mullaj. Ky është personi i ngarkuar me prokurë të posaçme përfaqësimi, i cili ka dorëzuar në AKKP të gjitha dokumentet në emër të familjes së njohur nga Shqipëria e Mesme, me qëllim për të kërkuar pronësinë mbi sipërfaqen e madhe të tokës në zonën turistike në veri të qytetit të Durrësit.
Pas kryerjes së akt-ekspertimit të firmave nëpër dokumentet e paraqitura nga Mullaj, organet kompetente konstatuan se vendimet e gjykatës të vitit 1946 ishin të falsifikuara dhe përgjegjësia për këto binte drejtpërdrejt mbi përfaqësuesin e përzgjedhur me prokurë dhe mbi vetë familjen Toptani. Në një kohë që Gjykata e Lartë i ka dhënë të drejtë palës trashëgimtare të përfaqësuar nga gjyqtari Konomi, shtetasi Mullaj do të thirret nga prokuroria dhe do ti komunikohet akuza.
Bëhet fjalë për shkelje si falsifikim të dokumenteve dhe përdorim të dokumenteve të falsifikuara me qëllim përfitimin e pronësisë. Për të gjitha këto dyshime do të përgjigjet për momentin vetëm përfaqësuesi i familjes Toptani. Pasi ti komunikohet akuza, prokuroria do ta marrë në pyetje Qemal Mullajn në cilësinë e të pandehurit për çështjen e bujshme. Problemi i pronësisë mbi sipërfaqen e madhe në bregdetin verior të Durrësit u bë publik nga mediat menjëherë pas shpërthimit në makinë, që i mori jetën gjyqtarit me origjinë nga Vlora pikërisht teksa ndodhej në timon në qendër të qytetit të tij të lindjes ku po shkonte për në punë, pranë Gjykatës së Rrethit gjyqësor Vlorë.