E Diel, 1 Nëntor 2026

Babai i Hekuran Dedës: Njerëzit e Berishës më ofruan para që ta prisja në takim

Share

Në prag të një-vjetorit të vrasjes së djalit të tij, Hekuran Dedës, në protestën e 21 janarit të opozitës, babai i tij 70-vjeçar, Halim Deda, shprehet se drejtësia do të vendoset një ditë për të birin dhe vrasësit do të vihen para përgjegjësisë. Gjatë një interviste për Shekullin, ai shprehet se njerëzit e kryeministrit Berisha i kanë ofruar para, në mënyrë që ai ta priste në takim.

Z. Halim, po mbushet një vit nga vrasja e djalit tuaj përballë kryeministrisë. A gjykoni se keni marrë tashmë përgjigje çfarë ndodhi atë ditë me Hekuranin?
Jo, deri më tani unë nuk di se përse dhe si më është vrarë im bir, Hekurani. Vdekjen e tij e kam mësuar nga televizori. Ne jemi shtëpi e madhe dhe deri më tani nuk i kemi mbajtur krahun asnji force politike, por për këtë varfëri që po jetojmë sigurisht që duhet protestuar. Hekurani ishte pa punë, provoi të gjente këtu po nuk mundi, ndaj dhe doli për të protestuar.

Keni besim se kjo vrasje do të zbardhet?
Megjithëse kjo çështje po zvarritet unë kam besim se një ditë e vërteta se kush më vrau djalin do të dalë në shesh. Tashmë, pas një viti kriminelët duhet të ishin përballë drejtësisë, si ata që qëlluan mbi djalin tim dhe tre burra të tjerë, ashtu dhe urdhëruesit e tyre. Na vranë dhe na thanë në televizor se jemi kokëpalarë. Ai që sot është Kryeministër mund të deklarojë çtë dojë, por hesapet mirë nuk i ka bërë. Unë kërkoj të di përse mu vra djali me duar ndër xhepa Ata e dinë fort mirë se kush është autori dhe urdhëruesi i vrasjes së Hekuranit.

Për kë e keni fjalën kur thoni që ata e dinë se kush është autori i vrasjes së Hekuranit?
Kanë qenë lajmësit e Berishës ata që kanë thënë këtë. Madje kanë ofruar edhe para në mënyrë që unë të prisja për kafe në shtëpi kryeministrin Sali Berisha. Në shtëpinë time, as hasmi nuk ndalohet për të shprehur ngushëllime. E unë me 21 janar kam hapur dyert e mortit për djalin. Se ma vranë djalin Kam pritur në shtëpi këdo që ka ardhur për ta ndarë me familjen tonë dhimbjen. Erdhën edhe ata që kërkonin ta shisja unë gjakun e djalit.

Z. Halim, kush ka ardhur në shtëpinë tuaj dhe çfarë ju kanë kërkuar?
Ka qenë dita e katërt që ishte vrarë Hekurani. Në mbrëmje vjen këtu një makinë e madhe, (një fuoristradë sipas saktësimeve të familjarëve) me xhama të zinj. Kërkuan të bisedonin veçmas dhe veten e paraqesin si punonjës të gardës e njerëz të afërt të familjes së kryeministrit. Më kërkuan që të prisja në shtëpi për kafe Kryeministrin e për këtë më ofruan një çantë me para dhe më thanë do të japim këto dhe foton e autorit se kush ka qëlluar mbi Hekuranin. Kanë ndenjur mbi dy orë në shtëpi e mezi i kemi përzënë. Ka qenë dita më e zezë e jetës sime. Ishte sikur Hekuranin po ma vrisnin edhe para syve. Pa ardhur këto njerëz unë mund ta prisja kryeministrin për ngushëllime Por kur mu kërkua shitja e gjakut të djalit, kurrsesi nuk mund ta pranoja më.

Z. Halim, është lajmëruar se më 21 janar, pra pas disa ditësh, do të organizohet një protestë-homazh në vendin ku u ekzekutuan Hekurani, Aleks Nika, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi. A do të merrni pjesë në këtë protestë?
Sigurisht që po. Madje, e ftoj çdo shqiptar të ndershëm të bashkohet aty. I duam vrasësit të vihen përballë drejtësisë. Sigurisht që do të jem. Se do të përkujtojmë tim bir.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›