E Diel, 1 Nëntor 2026

“Çështja jonë kombëtare është në rrugë të mbarë dhe parimet tona po përqafohen dhe promovohen çdo ditë”

Legalistët përshëndesin aktorët politikë shqiptarë që kanë rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen kombëtare

TIRANE - Partia “Lëvizja e Legalitetit” përshëndeti dje aktorët dhe faktorët shqiptarë që kanë rikthyer në qendër të diskutimit interesin dhe çështjen kombëtare.
Gazmend Lita, Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë i PLL, tha dje se “ne legalistët, si anëtarë të një partie me taban dhe program politik thellësisht kombëtar, ndjehemi mjaft të kënaqur sepse çështja jonë kombëtare është në rrugë të mbarë dhe parimet tona po përqafohen dhe promovohen çdo ditë e më tepër nga një masë më e gjerë intelektualësh, opinion bërësish dhe njerëzish të thjeshtë”, deklaroi Lita.
Një argument që veçoi PLL ishte ai për zhvillimet në Kosovë.
“Partia Lëvizja e Legalitetit dënon tentativat për destabilizimin e Kosovës së pavarur nga shteti serb i cili, nga njëra anë, pretendon se ndjek një politikë pro evropiane, ndërkohë që, me këto veprime, ai minon çdo ditë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare që janë investuar në Kosovë”.
Ai shtoi gjithashtu se “ne rikonfirmojmë qëndrimin tonë se Pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës janë të shenjta dhe të patjetërsueshme dhe i bëjmë thirrje qeveritarëve dhe faktorëve politikë në Shqipëri dhe Kosovë që të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të parandaluar planet e mbrapshta të qeverisë serbe”.
Po ashtu, PLL thotë se dënon instrumentalizimin prej Serbisë të përpjekjeve të drejta për liri të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe paralelizmin e këtyre përpjekjeve me krimet e ushtruara nga Serbia në viset shqiptare.
Ndërkohë, Partia “Lëvizja e Legalitetit” përshëndeti edhe mbylljen e ciklit të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.
“Duke marrë parasysh zhvillimet pozitive që Shqipëria ka realizuar kohët e fundit,  përfshi edhe sukseset e arritura nga diplomacia shqiptare në procesin e anëtarësimit në NATO, ne e nxisim qeverinë që të vazhdojë në këtë drejtim dhe të konsiderojë një aplikim sa më të shpejtë për statusin e vendit kandidat në BE”, theksoi ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›