Parlamenti rifillon punimet me projektligjet për administratën gjyqësore dhe administrative
Starton sot sesioni i ri parlamentar
TIRANE - Kuvendi rinis sot punimet me hapjen e sesionit të ri parlamentar që është dhe i fundit për këtë Legjislaturë, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen më 28 qershor.
Aktiviteti parlamentar, i ndërprerë për rreth tre javë, pritet të rifillojë normalisht me seancat plenare, që zhvillohen dy herë në javë dhe punën në komisionet e përhershme. Seanca e së hënës, e para për vitin 2009, pritet të miratojë kalendarin tre javor të punës së Kuvendit për periudhën (19 janar-5 shkurt).
Sipas këtij kalendari veprimtaria e parlamentit do të vijojë me shqyrtimin e disa projektligjeve të rëndësishme, të mbartura nga sesioni i mëparshëm, si p/ligji “për administratën gjyqësore”, p/ligji “për gjykatat administrative”, si dhe nisma të tjera të propozuara nga qeveria që lidhen me projekte në infrastrukturë, ujësjellës, etj. Gjithashtu me fillimin e sesionit të ri pritet raportimi vjetor në Kuvend i drejtuesve të institucioneve kushtetuese dhe organeve të tjera në varësi të parlamentit mbi veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2008.
Mbyllja e sesionit të Vjeshtës më 29 dhjetor u kurorëzua me miratimin konsensual të një sërë nismash ligjore të qeverisë me rëndësi të veçantë për reformat integruese. Miratimi në parlament me vullnet të përbashkët pozitë-opozitë i Kodit Zgjedhor dhe i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” u konsideruan arritje të politikës shqiptare, që i kontribuojnë ecurisë së reformave integruese të vendit.