E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështje morale

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, qartazi është shprehur kundër mbajtjes së posteve të dyfishta, por ka shtuar se ligjërisht nuk sanksionohet asnjë ministër që të japë dorëheqje nga posti i deputetit.

Këtë çështje, të martën, ai e ka shtruar në rrafshin moral.

“Me Kushtetutë edhe me këtë mandat, po e ceki edhe njëherë, vetëm ministrat kanë të drejtë në ekzekutiv ta mbajnë këtë mandat deri në fund të këtij mandati. Dy pozita asnjë përgjegjësi tjetër në nivel të lartë të administratës publike nuk ka të drejtë t’i mbajë dy poste dhe është konflikt interesi. Megjithatë kjo çështje është më tepër çështje e përgjegjësisë individuale dhe morale e secilit individ”, është shprehur Krasniqi.

Kryetari i Kuvendit, në një prononcim për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka folur edhe rreth ndryshimeve të fundit në Qeverinë e Kosovës.

Ai tha se pret rezultate pozitive nga ndryshimet e bëra në Qeverinë e Kosovës javën e kaluar.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës i respekton dhe i vlerëson ndryshimet pozitive në çdo institucion.

Krasniqi nuk ka dashur të komentojë nëse janë bërë ndryshimet e duhura në Qeverinë e Kosovës apo jo, duke thënë se nuk merret me çështje të ekzekutivit, ngase është i obliguar ta ruajë pavarësinë e pushteteve.

“Ne vlerësojmë çdo ndryshim pozitiv që bëhet në çdo institucion, në këtë rast edhe në Qeverinë e Kosovës, dhe shpresojmë që rezultatet e këtij ndryshimi do të vërehen pas pak kohësh”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshimet në Qeverinë e Kosovës kanë sjellë të tjerë ministra që do të vazhdojnë t’i mbajnë postet e dyfishta, atë të deputetit dhe tani të ministrit.

Ndërkaq, duke komentuar çështjen e emblemës së Komunës së Prizrenit, e cila është bërë mediatike ditëve të fundit, Krasniqi ka theksuar se Kuvendi i respekton vendimet e institucioneve të pavarura, në këtë rast Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Të gjithë në Kosovë duhet të mësohemi t’i respektojmë vendimet e institucioneve të pavarura. Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim dhe realisht ai vendim mund dikush të mos pajtohet me të, por vendimet e Gjykatës Kushtetuese në çdo vend demokratik janë të padiskutueshme”, ka thënë ai.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e rregullt ka miratuar rendin e ditës për seancën plenare që do të mbahet më 15 prill, kur pritet të diskutohet, ndër të tjera, edhe rreth Projektligjit për grevat, Projektligjit për energjinë elektrike, projekt-rregullores së Kuvendit, si dhe do të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi për emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›