Prokuroria: Vjedhjet në Tiranë alarmante, zbulueshmëria thuajse 0
Tiranë- Kreu i Prokurorisë së Tiranës, Sokol Malaj, nuk ka ngurruar të lëshojë kritika ndaj policisë për rritjen e kriminalitetit të rrugës. Gjatë analizës së punës 1-vjeçare të akuzës së kryeqytetit, ku e pranishme ishte edhe kryeprokurorja Ina Rama, Malaj tregoi me detaje gjithçka ishte bërë gjatë vitit të shkuar, si dhe problematika e hasur gjatë punës së Prokurorisë. Rritja e numrit të krimeve kundër personit dhe ulja e zbulueshmërisë nga ana e strukturave të policisë, sipas kryeprokurorit të Tiranës, është një fenomen mjaft shqetësues që duhet të marrë menjëherë zgjidhje. Vjedhjet në rrugë, vjedhjet e banesave apo automjeteve, si dhe grabitjet, sipas analizës së Prokurorisë, kanë pësuar rritje gjatë vitit që lamë pas, ndërsa Malaj u shpreh se zbulueshmëria e këtyre veprave është pothuajse zero. “Është rritur numri i vjedhjeve në rrugë. Për vitin 2010 janë regjistruar 6730 procedime penale, ndërsa zbulueshmëria është thuajse zero” - tha Malaj. Sipas tij, krimi i rrugës mbetet fenomen shqetësues, pasi grupe të rinjsh, apo persona të moshave të ndryshme grabisin kategoritë e njerëzve që nuk mund të reagojnë, duke sulmuar kështu hapur nëpër rrugët e Tiranës. Malaj tha se edhe vjedhja e banesave, apo automjeteve vazhdojnë të mbeten problematike. Sipas tij, në këto krime, autorët kanë sofistikuar teknikat me pajisje për hapjen e dyerve dhe në të gjitha rastet nuk kanë lënë asnjëherë gjurmë, duke e bërë kështu të pamundur arrestimin e tyre në flagrancë. Një tjetër problem shqetësues, që sipas kreut të akuzës së kryeqytetit duhet të përmirësohet, janë referimet që janë bërë në Prokurori nga Doganat, Tatimet apo dhe Policia e Shtetit. “Për vitin 2010 janë referuar 96 kallëzime për veprën penale të korrupsionit, shifër kjo më e ulët nëse krahasohet me referimet e kryera vitin e shkuar. Cilësia e këtyre referimeve ka qenë në nivel të pakënaqshëm” - tha Malaj, duke akuzuar oficerët e policisë gjyqësore të policisë, se në mjaft raste nuk argumentojnë me prova relacionet që bëjnë për çështje të caktuara. Problematike mbeten edhe referimet nga Tatimet apo Doganat, apo dhe KLSH. Malaj tha se për vitin e shkuar janë referuar 67 procedime nga Doganat, të cilat janë të mangëta dhe të vonuara në kohë, duke mos i lënë kohë Prokurorisë të kryejë veprimet e nevojshme hetimore, për shkak të parashkrimit të afatit. “Për vitin 2010 janë referuar 40 çështje nga Tatimet, ku në pjesën më të madhe të tyre rezulton se subjektet e proceduara nuk janë vënë në dijeni për detyrimet tatimore që ata kishin” - tha Malaj. Më tej kreu i Prokurorisë së Tiranës deklaroi se për vitin e shkuar Kontrolli i Lartë i Shtetit ka referuar në Prokurori tri çështje, të cilat kanë qenë tepër voluminoze, duke mos nxjerrë kështu thelbin e abuzimeve që dyshohet se kanë kryer zyrtarët e denoncuar nga KLSH. Gjatë prezantimit të analizës së detajuar, që zgjati për më shumë se një orë, Malaj nuk hezituar të akuzojë edhe hetuesit e Prokurorisë për punë të pamjaftueshme në hetimin e çështjeve të caktuara.