Çfarë do mësojnë qytetarët kinezë*
SHTYPI AMERIKAN
Nuk ka ndonjë shenjë se shpirti i Lojërave Olimpike ka ndikuar në udhëheqjen e Kinës për të ndërmarrë reforma politike, e për më pak, për vendosjen e demokracisë në vend. Ky ishte pretendimi i jo pak vëzhguesve të huaj, kur në vitin 2001 Kinës iu dha e drejta për organizimin e këtyre Lojërave.
Autoritetet komuniste nuk i kanë përmbushur premtimet e tyre për lirinë e mediave gjatë Lojërave Olimpike, kanë burgosur aktivistë të të drejtave të njeriut, kanë përzënë imigrantët nga kryeqyteti dhe kanë vështirësuar në maksimum marrjen e vizës kineze edhe për njerëzit e biznesit. Edhe në Hong Kong, ku liritë janë të mbrojtura me ligj, censura gjatë Lojërave Olimpike është e pranishme.
Kina nuk i ka dhënë vizë Joey Cheek, mbajtës i Medaljes së Artë, pasi ai ka folur hapur në mbrojtje të Darfurit dhe kundër mbështetjes së Kinës ndaj qeverisë barbare të Sudanit. Cheek nuk ka qenë i vetëm. Edhe lojtarit tjetër, Brad Graeiner, bashkëthemelues i ekipit të Darfurit nuk iu dha viza.
Cheek dhe Grainer u akuzuan për politizim të Lojërave Olimpike. Dje, Cheek iu dha akuzuesve një përgjigje të shkëlqyer: "Kur flasim për krizën në Darfur, flasim për miliona të pafajshëm që po vuajnë dhe për rolin pozitiv që Kina mund të luante nëse do të zgjidhte këtë rrugë. Por ata, si pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare kanë dështuar…".
Kjo Kinë që bën reforma, por që ende mbetet një regjim autoritar, ka krijuar vështirësi për udhëheqësit botërorë. Pyetja shtrohet: Si të respektohet Kina, si mikpritëse e një ngjarjeje të tillë ndërkombëtare, por njëherësh, si të mos lejohet ta keqpërdorë këtë Olimpiadë për qëllime propagandistike?
Zgjidhja e disa udhëheqësve evropianë ka qenë pjesëmarrje në gara të ndryshme gjatë Lojërave Olimpike, por braktisje e ceremonisë së hapjes. Një veprim simbolik, por disi i pakuptimtë.
Të tjerë si presidenti Bush kanë vendosur të marrin pjesë, por edhe të flasin hapur për dallimet dhe kundërshtimet ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut të bëra nga Kina. Media amerikane nuk ia vuri shumë veshin, por Kina akuzoi Shtetet e Bashkuara pas fjalimit të Bushit, se "brutalisht ka ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës".
Por qytetarët e thjeshtë kinezë derisa do të dëgjojnë dhe do jenë në kontakt me të huajt gjatë këtyre lojërave, do ta ndiejnë veten pjesë të një bote më të madhe. E derisa horizontet e tyre zgjerohen, shumë do të zbulojnë atë, që Partia Komuniste nuk do që ata ta dinë: Respekti i vërtetë në shkallë globale do të vijë vetëm kur Kina ta tregojë veten më të përgjegjshme në planin e jashtëm dhe qeveria të respektojë të drejtat e njeriut brenda vendit.
*WALL STREET JOURNAL / Titulli është i redaksisë. Titulli në origjinal: Lojërat Olimpike 2008: Pekini mbetet autoritar