E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë dua nga politika e re...

MENDIMI I NJË 16-VJEÇAREJE

Në fillim të viteve ’90, kur demokracia filloi të veprojë si e tillë, psikologjia jonë totalitariste nuk arriti të përshtatej lehtë me klimën e re, shumëllojshmërinë e fenomeneve dhe ndryshimin rrënjësor teorik dhe praktik të të parit të tyre. Ishim edukuar me njëllojshmërinë, të njëtrajtshmen dhe absoluten, dhe ja ku u gjendëm përballë një hapësire shumë të madhe mundësish alternative ku ishim sa të lirë aq dhe të rrezikuar prej së resë dhe së panjohurës.

Duke shfrytëzuar këtë moment, klasa politike e asaj kohe, e edukuar me mentalitetin e shoqërisë totalitariste, u përcolli shqiptarëve një sinonimi të pasaktë mbi konceptin e demokracisë, opozitës dhe politikës në tërësi, duke e interpretuar përkatësisht: demokracinë si liri të pakufizuar, opozitën si lëvizje jopaqësore dhe politikën si fushëbeteje të shkëputur nga etika, parimi dhe morali qytetar.

18 vjet pas vendosjes së sistemit demokratik, tranzicioni i ngadaltë nuk mund të justifikohej më as nga gjurmët e diktaturës, as nga paqëndrueshmëritë e pritshme që kalon çdo shtet në tranzicion. Por klasa politike, pjesa më e madhe e së cilës është e njëjtë me po atë që keq-udhëhoqi shqiptarët në vitet e pasdiktaturës, për shkak të mentalitetit të vjetër të pandryshuar apo interesave të ngushta vetjake jo vetëm që nuk ndërmerr masa për ndryshim, po duket se nuk pranon as prirjet që e synojnë këtë të fundit.

Politika e re, e cila synon shquarjen dhe vlerësimin e individit si të tillë, duke e parë atë përtej të majtës e të djathtës, jo si individ politik apo atom social të turmës por si element të përveçëm me potencialin dhe pushtetin absolut të votës së lirë, ka përparësi të kthejë bindjet politike të cilitdo shqiptar nga tifozllëqe të trashëguara nga paraardhësit në bashkime interesash dhe principesh; nga veprime vulgare si shitblerja e votës në gërshetime funksionale të interesave individuale me ato kombëtare, duke i dhënë fund kështu anakronizmave jodemokratike, të cilat shërbejnë vetëm si pengesa për zhvillimin e atdheut tonë.

Të gjithë jemi dëshmitarë të një disbalance midis masës së premtimeve elektorale dhe mbajtjes së tyre dhe jam e sigurt se të gjithë jemi të lodhur së qeni dëshmitarë okularë të një serie paradoksesh, pak si shumë për një vend kaq të vogël.

Një politikë e re, e qytetëruar dhe demokratike duhet t’i japë individit, pavarësisht bindjes së tij politike, terren të mjaftueshëm ku ai mund të shpalosë aftësitë e tij dhe të afirmohet në saje të konkurrencës së lirë, duke shembur kështu ato mentalitete banale ku duhet të jesh domosdoshmërisht përkrahës i partisë në pushtet, që të jesh “dikushi”. (Në thelb, askushi)

Politika e vjetër, e cila ka “privilegjin” e të qenit e provuar, e interpreton qytetërimin e politikës së re si tendencë amatoreske, civilizimin e saj si reagim jo efikas dhe materializimin e saj si utopi, duke ushtruar kështu ndikim negativ te shqiptarët që kanë mungesë informacioni mbi mënyrën e konceptimit, organizimit dhe funksionimit të politikës së re.

Në situatën ku ndodhet Shqipëria, ne, të rinjtë shqiptarë, nuk duhet të presim duarkryq ardhjen spontane e të vetëdrejtuar të politikës së re, por duhet të angazhohemi e të kontribuojmë duke marrë përsipër përgjegjësi qytetare-individuale. Duhet t’i bëjmë vend vetes dhe njëkohshëm të krijojmë nëpërmjet pjesëmarrjes, një realitet tjetër, polifunksional, gjithëpërfshirës, si bashkëqytetarë potencialisht të aftë për të ecur me dinjitet drejt së nesërmes!

*Autorja është gjimnaziste në një kolegj në Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›