E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD drejt konsensusit për "Spiunët'

PS kërkon hapjen e arkivave, ndërsa PD tërhiqet nga varianti i saj. Drafti i ri tenton të marrë konsensusin e palëve

Ligji për spiunët, PS: Të hapen arkivat

TIRANË- Çështja e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit duket se do të shoqërojë debatin politik në vend edhe gjatë këtij sesioni parlamentar. Kjo pasi ndryshe nga sa pritej, palët në debat janë kthyer edhe një herë në pozicionet e tyre të para. Një e tillë është vënë re dje në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ligjeve, ku e majta dhe e djathta, në prani edhe përfaqësuesve të shtresës së Ish-të Përndjekurve Politikë, kanë rikonfirmuar edhe një herë qëndrimet e tyre fillestare, ku demokratët kërkojnë miratimin e një drafti me një konsensus sa më të gjerë, ndërsa socialistët kërkojnë hapjen e arkivave të regjimit komunist.

Socialistët

Socialistët kanë hequr dorë nga diskutimi i çdo projektligji që ka të bëjë me hapjen e pjesshme të dosjeve, duke iu rikthyer idesë së hapjes së të gjitha arkivave të periudhës komuniste. Me anë të relatorit të tyre për këtë çështje, Arben Isaraj, të majtët kanë tentuar t’i japin një drejtim të ri këtij diskutimi duke hedhur në tryezë propozimin për hapjen e arkivave, si mundësia më e mirë që opinioni i gjerë të njihet me të shkuarën e çdo individi që kërkon të bëjë jetë publike. “Të hapim arkivat në mënyrë që personi i interesuar, ai qo do të votojë, presidenti që emëron, kryeministri që shkarkon e çdokush tjetër, të ketë mundësi që të njohë dosjen e gjithkujt që është i interesuar. Vetëm kështu mund të dalë gjykatësi i asaj kohe, prokurori apo bashkëpunëtori, të hapim pra dosjet në këtë mënyrë. Kështu ne do t’i jepnim fund çdo lloj debati që mban peng këtë çështje”,- u shpreh Isaraj duke iu drejtuar njëkohësisht edhe demokratëve, por edhe shtresës së Ish-të Përndjekurve që të shprehen mbi këtë propozim. Ndërkohë lidhur pikërisht me këtë propozim kanë reaguar vetëm përfaqësuesit e Shoqatave të të Përndjekurve Politikë që ishin thirrur në komision për të dhënë vlerësimet e tyre për mënyrën se si duhet të hartohet ligji. Përfaqësuesit e Qendrës Kombëtare të Rehabilitimit të Viktimave të Torturës, Adriatik Kati, pasi ka vlerësuar parimisht këtë propozim është shprehur skeptik për zbatimin praktik të tij, për shkak të implikimit të një numri shumë të madh njerëzish me krimet e komunizmit.

Demokratët

Ndërkohë, nga ana tjetër, demokratët, ndryshe nga vendosmëria që kishin demonstruar më parë për ta miratuar këtë ligj sa më shpejt, dje janë treguar më të kujdesshëm në qëndrimin e tyre, duke dhënë hapur sinjalet e një tërheqje nga qëndrimi i tyre për të vijuar miratimin e draftit të tyre (dy nenet e para demokratët i votuan në mbledhjen e fundit të komisionit për muajin korrik), duke lënë të kuptohet hapur se mazhoranca do të tentojë edhe një herë që të paraqitet në komision me një projektligj që të ketë marrë paraprakisht dhe pëlqimin e opozitës. Kështu, dje kryetari i ri Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali nuk ka urdhëruar shpërndarjen e projektligjit për asnjë nga anëtarët e komisionit dhe të ftuarit. Një fakt i tillë është evidentuar nga kryetarja e Shoqatës së të Drejtave të Njeriut, Elsa Ballauri, e cila megjithëse ishte ftuar që të jepte vlerësimin e saj mbi këtë nismë ligjore, nuk ka pasur përpara asnjë draft të tillë. Insistimit të saj për të pasur një projektligj, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Rusmali, i është përgjigjur se ende komisioni nuk ka një draft konkret mbi të cilin edhe të diskutojë, pavarësisht se në komision janë depozituar plot katër drafte për këtë çështje. Ndërkohë sipas relatorit demokrat Aldo Bumçi do të tentohet edhe një herë që të gjendet konsensusi edhe me opozitën përpara se projektligji të vijë përsëri në komision. Sipas tij, çështjet që mbajnë peng konsensusin kanë të bëjnë me ndërprerjen e mandatit për ata zyrtarë që do të rezultojnë me dosje dhe me çështjen tjetër, nëse duhet apo jo të verifikohen edhe një herë ata zyrtarë që i janë nënshtruar këtij procesi gjatë ligjeve të mëparshme.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka theksuar se ligji për spiunët duhet të jetë një ligj me "tolerancë zero"

Dosja e spiunëve, Topalli e gatshme për t’u verifikuar

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zgjedhur të njëjtën formë për të reaguar ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama, lidhur me deklaratën e këtij të fundit, se hapja e dosjeve duhet të fillojë nga ajo vetë. Në një intervistë televizive, Kryetarja e Kuvendit është shprehur e hapur për t’u verifikuar, proces ky, që, sipas saj, duhet të ndiqet edhe për kryetarët e partive politike e drejtues të tjerë të lartë. “Është parim bazë dhe e kam përsëritur edhe herë tjetër që verifikimi të nisë nga Kryetari i Parlamentit e të vazhdojë me të gjithë zyrtarët e lartë dhe Kryetarët e Partive Politike”, - tha ajo. Në reagimin e saj, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është pozicionuar ashpër ndaj ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, duke theksuar se kjo kategori duhet të përjashtohet nga jeta politike në vend. “Gjithmonë kam besuar se ky ligj duhet të jetë një ligj me "tolerancë zero" ndaj çdo oficeri dhe spiuni të Sigurimit te Shtetit, pa klauzola lehtësuese, pra një ligj me një nen, po të ishte për mua. Pa ç'rrënjosur nga jeta publike rrjetin e "gestapos" shqiptare ky vend nuk ka të ardhme ne Evropë, dhe këtë po jua them si një njeri që Sigurimin e Shtetit dhe spiunët e tij i kam pasur në kurriz, jo që nga dita kur kam lindur, por 20 vjet para se të lindja, që në 1944-ën”,- shtoi ajo. Ndryshe nga Partia Socialiste, Kryetarja e Kuvendit mbron tezën e deritanishme të Partisë Demokratike se subjektet që janë verifikuar një herë duhet të jenë sërish pjesë e procesit të verifikimit. “Personalisht mbroj fort idenë që edhe politikanët që janë verifikuar 2 apo 3 herë, edhe nga PS edhe nga PD, të riverifikohen. Duke votuar dhe firmosur këtë ligj, si deputete dhe Kryetare e Kuvendit, do të jetë një ditë kur do të jem krenare se po i bëj një shërbim të madh vendit tim për t'u ndarë njëherë e mirë nga e kaluara”,- tha ajo. Dy ditë më parë, në një intervistë televizive, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i pyetur pikërisht mbi hapjen e dosjeve, deklaroi se ndarja me të shkuarën, nuk është problem i Partisë Socialiste, por i Partisë Demokratike. “Nuk do të ishte keq, që ata që flasin më shumë për këtë, duke filluar nga spikerja e Kuvendit, të hapin dosjen e tyre dhe të tregojnë se nuk kanë të bëjnë me këtë ligj, apo nuk kanë të bëjnë me këtë të kaluar”,- u shpreh ai, dy ditë më parë. Vetëm pas dy vitesh arkivimi në Kuvend, drafti për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë filloi të diskutohej vetëm në fund të sesionit të kaluar parlamentar, kur Partia Demokratike pas disa propozimeve edhe nga përfaqësues të saj, doli në një variant përfundimtar, pikat kryesore të së cilës, nuk u pranuan nga Partia Socialiste. Megjithatë, nisur edhe nga përmbajtja, miratimi i këtij drafti u shty për në muajin Shtator, me qëllim marrjen e konsensusit të opozitës por edhe diskutimin me grupet e interesit, përfaqësues të së cilës, dje dhanë qëndrimin e tyre në mbledhjen e parë të Komisionit të Ligjeve për këtë sesion parlamentar.

Deputeti i PS-së, Pandeli Majko kërkon që të flitet më emra konkretë

Të përndjekurit: Në administratë ish-sigurimsa të Shtetit

TIRANË- Ish-të Përndjekurit Politikë të sistemit komunist kërkojnë nga politika që të heë dorë nga demagogjia dhe të miratojnë sa më parë ligjin për hapjen e dosjeve si një dëmshpërblim moral për vuajtjet që kjo shtresë ka përballuar në vite. Të thirrur në Komisionin e Ligjeve, si palë e interesuar në debatin për dosjet e ish-Sigurimit, drejtuesit e shoqatave që përfaqësojnë kategorinë e ish-të përndjekurve, kanë vlerësuar si domosdoshmëri miratimin e një ligji që të mund të jepte zgjidhjen e duhur jo vetëm për evidentimin e agjentëve të ish-Sigurimit, por edhe të drejtuesve të tyre, që ata shpesh i konsideruan si “gjeneralë” që militojnë në administratën e lartë publike. Për këtë ata nuk kanë ngurruar që të sjellin dhe raste konkrete, siç është, sipas tyre, edhe ai i ish-Kryetares së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Fatmira Laska. Ndërkohë Simon Miraka, drejtues i Institutit Shtetëror për të Përndjekurit, është shprehur se në administratën e sotme shtetërore vazhdojnë të punojnë jo vetëm agjentë të thjeshtë të ish-Sigurimit, por edhe njerëz që në atë kohë kanë përndjekur, torturuar dhe dënuar me mijëra qytetarë. “Edhe pas gati 20 vjetësh ne kemi një administratë ku vazhdojnë të punojnë njerëz që kanë kontribuar në përndjekjen e shtresës së ashtuquajtur të përmbysur. Është e tmerrshme sot që në administratë të punojnë ish-hetues, ish-kryetarë degësh, ish-prokurorë”, - tha Miraka. Në këtë debat është përfshirë edhe ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili, duke u shprehur kundër akuzave, ka kërkuar prej ish-të përndjekurve emra konkretë. “Është e kotë që vazhdohet me akuza dhe përbaltje, pa pasur fakte. Prandaj, na jepni emra konkretë”,- është shprehur Majko.

Tomor Aliko, kryetari i Shoqatës Antikomuniste

“Bashkëpunëtorët dhe agjentët e Sigurimit të Shtetit meritojnë që të largohen pa i larguar. Unë dua të siguroj këdo se ne nuk jemi për hakmarrje dhe hakmarrje nuk do të ketë, prandaj le të hapen dosjet në mënyrë që në gjykatat apo prokuroria të mos ketë njerëz që kanë qenë agjentë të Sigurimit. Prandaj unë ju kërkoj që të vini dorën në zemër dhe të hapni dosjet për ata që duhet të hapen”.

Adratik Kati, drejtues i Qendër Kombëtare të Rehabilitimit të Viktimave të Torturës

“Ligji i lustracionit është shumë i rëndësishme që të shihet në grup, si paketë e dekomunizmit, pasi në të kundërt ai asnjëherë nuk do të ketë sukses. Si mund të ketë sukses kërkimi i bashkëpunëtorëve kur gjeneralët qëndrojnë të lirë. Prandaj zotërinj ne ju sugjerojmë që të jeni të vëmendshëm që në mënyrë sa më efikase të rikuperojmë këto dëme. Është e papranueshme të flasim për ligjin e lustracionit pa pasur një rehabilitim më të plotë të kategorisë së të përndjekurve politikë”.

Arben Isaraj

“Të hapim arkivat në mënyrë që personi i interesuar, ai që do të votojë, presidenti që emëron, kryeministri që shkarkon të ketë mundësi që të njohë dosjen e gjithkujt që është i interesuar. Vetëm kështu mund të dalë gjykatësi i asaj kohe, prokurori apo bashkëpunëtori, të hapim pra dosjet në këtë mënyrë. Kështu ne do t’i jepnim fund çdo lloj debati që mban peng këtë çështje. Pra më mirë hapim dosjet dhe arkivat e komunizmit dhe çdo njeri i interesuar mund të ketë akses të njohë çdo gjë që ka lidhje me të shkuarën e një individi që kërkon të bëjë jetë publike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›