E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë duhet të dimë rreth ekonomisë përpara se të votojmë?

25-11-2012 / Nga Ilda Mihali

Kur bëhemi pjesë e një votimi, nuk duhet vetëm të ndjejmë përgjegjësinë si qytetarë të një vendi për të marrë pjesë në votim, por edhe të jemi të përgjegjshëm për x-et që vendosim në kutira, të cilat përkthehen në pushtet. Pushtet që qytetari me dëshirën dhe bindjen e tij të plotë ia atribuon forcës politike në programin e të cilës ai gjen veten  dhe “programon të ardhmen” deri diku. Njohuritë minimale që duhet të duhet të absorbojë qytetari duhet t’i referohen fillimisht taksave. Një sy në web vetëm për të krijuar idenë se si qeveria takson dhe shpenzon njëkohësisht. Një zë tjetër që duhet të kemi parasysh janë investimet. Një forcë politike e suksesshme ka gjithmonë prioritet investimet dhe specifikisht investimet që kanë sensibilitet publik, siç është arsimi dhe shëndetësia të cilat lidhen drejtpërdrejtë me mirëqenien e qytetarit. Investimet në arsim së paku do të zvogëlojnë në masë hendeqet e thella mes të arsimuarve dhe analfabetëve. Nga ana tjetër investimet në shëndetësi i japin gjithnjë një dorë lehtësirave që duhen krijuar sidomos për shtresat në nevojë të cilat e kanë të pamundur të përballojnë financiarisht shërbimin në klinika private. Mënyra si funksionon sistemi bankar është një tjetër shenjë që tregon mire ose keqqeverisjen. Kjo mund të konstatohet të paktën sipërfaqësisht, duke parë fillimisht cilësinë e shërbimit që përfiton si qytetar, lehtësitë që krijon banka për kredimarrje, dhe duke vlerësuar më gjerë mundësitë që ka biznesi për të marrë kredi. Duke pikasur mënyrën si bëhet tregtia,duke parë që për të njëjtin profil biznesi shtohen konkurrentët kjo i jep shumë pluse një force politike sepse me një logjikë të thjeshtë gjykojmë se lejimi i konkurrencës përmirëson produktin,shërbimin dhe ul çmimet (këto të fundit janë dhe fokusi kryesor i konsumatorit). Ajo që është dhe më e rëndësishme ta përmendim është  njohja në thelb e kandidatëve: njohja e arsimit të tyre, njohja e performancës së tyre profesionale në vite, kontributi që kanë dhënë në njësinë përkatëse ku kanë punuar. E mandej informimi duhet të shtrihet edhe në rrënjët e familjeve të tyre përkatëse,jo edhe aq për të ndikuar zgjedhjen tonë por më së tepërmi për të krijuar një tablo më të qartë për secilin.
Vota është e vetmja e cila nuk mund të zhbëhet prandaj përpara 2 minutëshit të votimit duhet të ketë disa ditë studimi formash të ndryshme të cilat nuk duhet të ndikohen absolutisht nga paragjykime paraprake për njërin apo tjetrin. Por mbetet kryesore që informimi ynë të vërtitet rreth gjërave konkrete që secili nga kandidatët ka bërë,pa u marrë së tepërmi me cilësi të secilit si: prezencë e mirë, komunikim tejet i qetë në publik, reagime brenda të gjitha normave... Cilësi të cilat në fakt janë shumë të rëndësishme që një lider t’i ketë por jo të jenë parësore për të vendosur për fatin e gjithsecilit prej tyre. Para se të votojmë gjykohet me rëndësi që të mos ua imponojmë zgjedhjen tonë të tjerëve. Çdo individ ka të drejtën të krijojë bindjen e tij dhe kjo  duhet absolutisht të respektohet. Votimi lidhet ngushtë me demokracinë,pra lidhet pashmangshmërisht  me lirinë për të zgjedhur kë të duam por gjithmonë brenda një konteksti që ka informimin brenda.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›