E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë fshihet pas letrës së Ramës

01-05-2012 / Nga Artur Bego

Edi Rama, i bllokuar në pafuqinë e tij si politikan dhe në dëshpërim e sipër, po mundohet të kamuflojë nevojën jetike për t’u takuar me Ilir Metën, me ftesën e pacipë se duhet harruar gjuetia e shtrigave që ai orkestroi në fillim të 2011-s. Në letrën e dëshpërimit, ai radhit tek krerët e partive politike edhe Gazmend Oketën, duke konfirmuar se mezi pret të bashkojë votat me Bamir Topin. Letra është një justifikim për të shmangur atë që atij me të vërtetë i intereson, margjinalizimin e aleatëve në një formulë koalicioni që i intereson vetëm atij


Në mënyrë të përsëritur Edi Rama demonstroi dje pafuqinë e tij si politikan. Demonstrimin më të fundit, atë të radhës, e bëri me “letrën e hapur” të radhës... * * * Në formë paranteze... Vetëm këto “të shtatat” e fundit mjaftojnë për “të mos luajtur nga istikami” se Edi Rama është një politikan i pafuqishëm (pse jo edhe i pavendosur)... Në vijim të parantezës, ndërsa “të shtatat” e fundit nisën me takimin e Edi Ramës me Fatos Nano për “të gjallin” president dhe vijoi disa minuta më vonë me “letrën e tij të hapur” (shumë ironike dhe cinike) për “të ikurin” ish-policin Shemsi Prençi, pak ditë më vonë kemi antitezën...  ... Edi Rama “qëndis” një tjetër “letër të hapur” për sivllaun e tij një “të ikur” në “papafingon e krismës së thatë” për të na çuditur dje me “letrën e hapur” të radhës..., këtë herë, duke ju rikthyer “të gjallit” president... ... Fundi i parantezës. * * *   Përpos “dashurisë” së Edi Ramës për “të ikurit”, e ardhmja e tij lë pak vend për të besuar ndonjë gjë të kundërt, veç asaj që ai është në dëshpërim e sipër. Dëshpërimi i tij (të kuptohemi) këtë herë nuk është për “të ikurit”... ... Por për “të ardhmen” e tij politike. Në funksion të kësaj (“të ardhme”) ai mundohet të kamuflojë nevojën e tij jetike për t’u takuar me Ilir Metën me “një ftesë të hapur” dërguar gjithë “faktorëve parlamentarë”, por me qëllimin e vetëm “lënien e një dere hapur” për të mundësuar një takim “tet a tet”, sigurisht me Ilir Metën. Pas dështimit me “bllokun” e Ilir Metës, “bllok” të cilin tentoi ta shndërrojë në një aferë të tipit “të gjuetisë së shtrigave”, kujtojmë këtu orkestrimin në fillim të vitit 2011 (të paktën deri para 21 janarit), Edi Rama në dëshpërim e sipër (pse jo edhe i gënjyer nga Dritan Prifti) po “lëpin atë që pështyu”... * * *  ... E ka bërë edhe herë tjetër këtë, me qenë se ra fjala me Dritan Prifti, por ky (Dritan Prifiti) “nuk ka këllqet” e Ilir Metës. Biles..., biles..., “nuk ka këllqe”, jo pse nuk ka arritur të pajisë me lopë çdo familje të Libofshës, sikurse premtoi në fushatën elektorale, por sepse “nuk ka bythë” dhe pranon të ulet në një tavolinë me Edi Ramën, për të cilin na çuditi të gjithëve kur na tregonte se e kishte parë kreun e PS-së duke “hequr ndonjë vizë”. Dhe Edi Ramës nuk ka çfarë ti duhen njerëz “pa bythë”... Ndaj edhe dje, në dëshpërim e sipër, promovoi si “faktor parlamentar” Gazmend Oketën dhe partinë e tij (apo të Bamir Topit, merreni si të doni). * * *  Ndërsa është e kuptueshme pse Edi Rama nuk përfshiu dje në listën e “faktorëve parlamentarë” Dritan Priftin, po aq e kuptueshme është pse ai përfshiu te krerët e partive politike “parlamentare” edhe Gazmend Oketën dhe partinë e tij (apo të Bamir Topit, merreni si të doni). Me këtë “seleksionim” sipas humorit më të fundit të tij, në tentativë për promovimin e “partisë më të re parlamentare” me vetëm një votë (votë që as Ardian Vishës “nuk i bëri punë”), Edi Rama sërish në dëshpërim e sipër demonstroi se duke mos përfshirë në të njëjtën listë të tjerë “faktorë parlamentarë” të pavarur (veç Dritan Priftit), sikurse Kastriot Islamin, shqetësim të tij të vetëm ka bashkimin e votave me deputetin e partisë së Bamir Topit. * * *   Në vend të mbylljes... Ti rikthehemi më të fundit “letër të hapur” të Edi Ramës. Duke “zgjeruar” rrethin e “faktorëve parlamentarë” që kanë në dorë (sipas Edi Ramës) jo vetëm zgjedhjen e presidentit, por edhe gjëra “më të mëdha”, sikurse, të themi, Kodin Zgjedhor, letra është një justifikim për të shmangur atë që atij me të vërtetë i intereson..., këtë herë në raport “me të vetët”. Në këtë kontekst, margjinalizimi i aleatëve në një formulë koalicioni, që s’duhet rishikuar pa negociata të gjera,  s’e fsheh dot si qëllim të Edi Ramës..., diku në prapaskenë. Duke shtuar listën e “faktorëve parlamentarë” Edi Rama shton me këtë rast besimin në vetvete, për shtimin e mundësisë së “të mos rënit në një mendje”..., për gjëra ehe “më të mëdha”..., për aleatët e tij. * * * Përmbyllja… “Mbetem në pritje të një përgjigjeje nga ana Juaj për këtë kërkesë dhe jam i gatshëm t’Ju takoj pa humbur kohë”, e përfundonte dje “letrën e hapur” të ardhës Edi Rama… Po sikur “të ftuarit” ta injorojnë atë letër… Shumë e rëndë do të jetë… Por akoma më e rëndë do të ishte po t’i përgjigjej asaj ftese vetëm “i promovuari” Gazmend Oketa dhe partia e tij (apo e Bamir Topit, merreni si të doni)...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›