Çfarë ndjejnë kur i kanë afër
Opinione, ide, refleksione nga vizitorët e parë të koleksionit "Ca' la Ghironda", hapur këto ditë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Disa i shohin të magjishme, kryevepra që të dredhin gjunjët, punë që i hapin udhë refleksionit, e të tjerë prisnin më shumë
Këto tri ditë Galeria Kombëtare e Arteve rrethohet nga një klimë jo shumë e zakontë për ambientin e kulturës në Shqipëri. Vizitorë të gjithfarë moshave dhe profesioneve, artistë, piktorë, skulptorë, poetë, shkrimtarë, përkthyes, aktorë, regjisorë, gazetarë, shijues të thjeshtë arti, vijnë e vizitojnë çdo ditë, në orë të ndryshme, koleksionin "Ca' la Ghironda" të Francesco Martanit. Koleksioni i ndarë në dy seksione, "Shkëlqime Klasike dhe "Atmosfera të Shekullit të XX" është instaluar në katin e dytë të galerisë qysh më 21 prill. Për çudi edhe politikanët, nuk janë dukur vetëm ditën e parë, sa për sebep, por janë parë edhe në ditët e tjera.
Është i kuptueshëm interesi kur bëhet fjalë për emra si Pablo Picasso, Anthony Van Dyck, Réne Magritte, Giorgio de Chirico, Piet Mondrian, Marc Chagall, Lucio Fontana, Jean- Michel- Basquiat, Andy Warhol, Michelangelo Pistoletto. Punët e këtyre artistëve më së shumti janë këqyrur në distancë, në ndonjë katalog rastësor dhe kush ka qenë me shumë fat, i ka parë në ndonjë galeri të rëndësishme të botës. Por të vijë Picasso dhe Van Dyck në derë të shtëpisë është tjetër gjë! Të bënte përshtypje këto ditë edhe një lloj disipline e vizitorëve në mënyrën si vëzhgojnë, qëndrojnë disa minuta përpara një pune, i kthehen dhe rikthehen, afrohen të lexojnë didaskalitë.
Po cilat janë mendimet e vizitorëve për veprat e artistëve të shekullit XVI-XVII, dhe për artin e shekullit të kaluar? Çfarë ndjesish iu lindin përballë tyre?
Reagimet janë nga më të ndryshmet.
Artistët pamorë i cilësojnë të mahnitshme veprat, nuk gjejnë fjalë për t'i përshkruar ndjesitë dhe premtojnë se do të vijnë sërish për të reflektuar mbi to.
"Është e magjishme kur je kaq afër me këto vepra, me autorë kaq mitikë. Natyrisht të gjithë të magjepsin, të mahnisin. Vihesh përballë kontaktit direkt me ta dhe nuk të besohet. Të gjithë autorët janë të famshëm, të mëdhenj, ata të artit modern, paramodernët deri tek klasikët, dhe të kohës së Rilindjes. Ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte kontakti me veprën e Andy Warholi-t. Është i mrekullueshëm. Nuk kisha pasur kontakt me një vepër të tillë dhe më krijoi dridhje gjunjësh. Për qartësinë e siluetit të figurës, konceptin estetik, për tonalitetin e ngjyrave dhe një lloj estetizmi që të magjeps", rrëfen rreth ekspozitës piktori Alekandër Filipi,
Të bën përshtypje reagimi i një studenti në vitin e parë pikturë, Klevi Dollonja që "priste më shumë nga ekspozita", më shumë vepra nga artistët pjesëmarrës. "Në momentin kur thanë klasikët, mendohej të kishte piktura më të famshme. Nuk është se nuk janë të bukura, por prisja diçka më tepër. Do të doja që Pikaso të mos vinte me një pikturë", thotë çiltër Klevisi, që ka gjetur më shumë kënaqësi tek klasikët, që për të "kanë fuqi më shprehëse, kurse këto të shekullit të ri janë më të ftohta. Klasikët ishin më realë", përfundon ai. Vepra të shek. XVI-XVII janë "Lukrezia Romana" (1506) Francesco Rabolini, "Madalena" (1631-1632) Guido Reni, "Shën Gjon Evangjelisti" (1594) Annibale Carracci, "Vizioni i Shën Mërisë Vajzë" (1715-1720) dhe "Lukrecia -fillim shek. 700" Francesco Trevisani, përsëri një portret të Shën Mërisë, por këtë herë nga Giovan Battista Salvi me "Virgjëresha me Krishtin fëmijë" dhe figura të tjera shenjtësh, profetësh, virgjëreshash nga Giovan Francesco Barbieri, Giovan Battista Gaulli, Marcantonio Franceschini, Pompeo Giralomo Batoni, Luca Giordano, "Adhurim i magjistarëve" (1650) nga Valerio Castelollo. Peizazhe nga Belisario Corenzio, Antonio Francesco Peruzzini, Bernardo Strozzi, Crescenzio Onofri. Portrete të veçanta dhe ndryshe në rrjedhën e ekspozitës janë: "Portreti i Priftit Domenikan", i Anthony Van Dyck-ut dhe "Shitëse pjeshkësh" e Giacomo Francesco Cipper-it, që të dyja nuk kanë një datë të realizimit.
Nga opinionet e vizitorëve të intervistuar kuptohet interesi i madh për pikturat e shek. XVI-XVII, kundrejt atyre të shek. XX. Piktori Parid Dule, pas vizitës së ekspozitës, veçoi portretin "Lucrezia Romana" (1506) nga Francesco Rabolini, dhe "Madalena" e Guido Renit, që i takon viteve 1631-1632. "Do ta shoh edhe një herë tjetër ekspozitën, ndoshta më me vëmendje. Ka gjëra që ne nuk i kemi parë, megjithatë jam spektik. Ka tablo që nuk më krijojnë ndonjë emocion të veçantë. Ka punë këtu që janë etyde, vizatime, jo përfaqësuese të autorëve. Prisja më shumë. Më duket eksperimentale", shprehet Dule.
Megjithatë, nuk duhet harruar fakti që ky është një koleksion personal i Martanit, dhe nuk tenton që prezantojë punët më përfaqësuese të artistëve, ashtu siç Dule mund të ketë parë në muzeun e Luvrit. "Kam parë punë të Pikasos, përkrah një pikture të dë Lakruasë "Gratë e Algjerit". Aty sheh vërtet Pikason se kush është."
Jo të gjithë artistët pranojnë të japin një opinion rreth ekspozitës dhe përshtypjeve që u ka lënë ajo. Disa kërkojnë më tepër kohë, të tjerë me pretendimin se kanë angazhime të tjera, në këtë rast burokratët, i shpëtojnë përgjigjes dhe dhënies së një opinioni. Por ka edhe nga ata që afrohen vetëm për të shprehur kënaqësinë që më në fund i kanë kaq afër artistët botërorë, që mund t'i prekin dhe të reflektojnë e të heqin paralele me kohën e tyre, një kohë kur arti ishte i izoluar, i diktuar, i krimbur me ideologji. Dhe nga ky krah ekspozita ka vlera dyfishe. "Na ndihmon për të reflektuar. Të kuptojmë që hapësira është e tejmadhe dhe paplotësia në art është e pashmangshme. Tejkalimi i hapësirave, ky është misioni i artit vetë", pohon piktori Arif Lushi që e cilëson një ekspozitë të rrallë për publikun shqiptar. "Janë dy lloj artesh superiorirë: arti klasik, i etur për pushim, dhe arti në lëvizje, dinamik. Është publiku që do reflektojë mbi këtë tezë", vijon më tej Lushi duke perifrazuar Niçen. Ai nuk pëlqen të vejë gishtin mbi të preferuarit klsikë, apo bashkëkohorë, pasi "në një konstelacion yjesh është e pamundur të diferencosh".
Në "Atmosfera të shekullit të XX-të" kemi autorët: Giacomo Balla, Kazimir Malevich, Ottone Rosai, Fortunato Depero, Réne Magritte, Giorgio de Chirico, Gino Severini, Osvaldo Licini, Paul Klee, Fernand Léger, Piet Mondrian, Mario Tozzi, Mario Mafai, Mario Sironi, Francis Bacon, Giorgio Morandi, Giulio Turcato, Mimmo Rotella, Afro Basaldella, Joan Miro, Gastone Novelli, Tancredi, Antonio Sanfilippo, Emilio Vedova, Marc Chagall, Carlo Carra, Massimo Campigli, Pablo Picasso, Roberto Crippa,
Alberto Burri, Domenico Gnoli, Enrico Baj, Giuseppe Capogrossi, Pier Paolo Calzolari, Franco Angeli, Valerio Adami, Mattia Moreni, Lucio Fontana, Mario Merz, Sandro Chia, Enzo Cuçhi, Nicola De Moria, Jean- Michel Basquiat, Andy Warhol, Gino de Dominicis, Ettore Spalletti, Luigi Mainolfi, Carol Rama, Enrico Castellani, Michelangelo Pistoletto dhe Giuseppe Uncini.
Këtë pjesë të ekspozitës, disa prej vizitorëve quajnë shkurt "piktura absurde", që kuptohet më pak. Këtë opinion shprehin me zë të ulët dy gjimnaziste, që i kanë ngulur sytë një pikture të seksionit të parë të ekspozitës dhe provojnë të kuptojnë më shumë. Mësueja e letërsisë u ka ngarkuar detyrë të shkruajnë një ese mbi një nga punët e ekspozitës dhe e kanë parë më të udhës të zgjedhin një vepër të klasikëve. I shohin më të lehta për t'i komentuar.