E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetusja rrëzon ligjin për regjistrimin e pronave

Vendimi ka të bëjë me ndryshimet e miratuara në vitin 2007 ku Kryeregjistruesit i jepej e drejta të fshinte regjistrimet e pronave që rezultojnë më më shumë se një pronar


Bëhet fjalë për rastet kur një pronë është regjistruar në emrin e disa pronarëve. Sipas ligjit fshiheshin regjistrimet e tjera përveç të parit. Kushtetuesja: Ligjin cënon të drejtën e pronës


TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar disa nene të ligjit "Për reagjistrimin e pronës", që i jepnin të drejtë kreut të hipotekës që të fshinte nga regjistri të gjitha ato prona të cilat janë figurojnë me më shumë se një pronar.


Në prill të vitit 2007 qeveria kishte miratuar disa ndryshime në këtë ligj duke i dhënë të drejtën Kryeregjistruesit që rastet kur një pronë është regjistruar disa herë në hipotekë me emra të ndryshëm pronarësh të fshiheshin të gjithë ata duke lënë vëtem atë që ka bërë regjistrimin i pari.


Sipas ndryshimeve të miratuara nga parlamenti në atë kohë, prona pezullohej deri në për një kohë të pacaktuar deri në miratimin ose refuzimin e kësaj kërkese nga ana e Kryeregjistruesit.


Në këtë mënyrë as personat e tjerë që e kishin regjistruar këtë pronë në emër të tyre dhe as regjistruesi i parë nuk mund të kryenin asnjë veprim mbi të deri në marrjen e vendimit nga ana e Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.


Përballë kësaj situate personat e prekur i janë drejtuar Avokatit të Popullit duke kërkuar pezullimin e dispozitave ligjore që i privonin ata nga e drejta e pronësisë.


Me fillimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese përfaqësues të Avokatit të Popullit e kanë përligjur kërkesën e tyre për shfuqizimin e ndryshimeve të bëra në vitin 2007 me arsyetimin se me Fshirje të regjistrimeve nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kemi të bëjmë me cënim të të drejtës së pronës e cila sigurohet edhe nga Koventa e të Drejtave të Njeriut.


Një argument tjetër dhënë nga Avokati i Popullit në lidhje me ndryshimet në ligj ka të bëjë me faktin se cënimi i të drejtës së pronës në këtë rast nuk bëhet për një interes publik ç'ka cënon edhe kushtetutën e vendit.


Nga ana e tyre përfaqësuesit e kuvendit janë mbrojtur duke theksuar se në të vërtetë ndryshimet e bëra në ligj nuk cënojnë të drejtën e pronës apo sigurinë juridike por synojnë të mbrojnë pronarin e vërtetë.


Pasi ka marrë në shqyrtim pretendimet e palëve, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i kanë vlerësuar të papajtueshme me Kushtetutën ndryshimet që i janë bërë ligjit "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme" duke i rrezuar ato.


"Gjykata vlerëson se ndryshimet ligjore, nëpërmjet kufizimit përkohësisht, deri në 30 ditë që i bëjnë mbajtësit të titullit pronësor që ka kryer regjistrimin e parë dhe, për një kohë të papërcaktuar të tjerët e regjistruar në vijim, si dhe fshirjes së regjistrimit të tij, cenojnë njërin prej komponentëve të rëndësishëm të së drejtës së pronës, disponimin lirisht të saj, brenda kufijve ligjorë.


Gjykata vlerëson se fshirja e regjistrimit, ndonëse nuk e zhvesh plotësisht titullarin nga e drejta e pronësisë, në të vërtetë e privon atë nga e drejta për të disponuar lirisht mbi pronën e tij", - citohet në vendimin e zbardhur dje.


Është e disata herë që Kushtetuesja rrëzon ligjet e miratuara në kuvend. Më parë kjo gjykatë kishte kthyer ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Pensionet e ushtarakëve; Marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë, etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›