E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë ndodhë kur një shtet dështon?

Video-xhirimi më i ri, i cili erdhi nga Afganistani, tregon ekzekutimin e një femre, të akuzuar për tradhti, nga ana e talebanëve. fakti se dënimet e këtilla po vazhdojnë të zbatohen, madje edhe në kohën kur 100 mijë ushtarë të huaj ende janë të pranishëm në Afganistan, shërben si një indikacion se në fushën e të drejtave të femrave nuk është arritur pothuajse fare përparim, në eksperimentin 11 vjeçar të shtet-ndërtimit. Dhe kjo ka të bëjë shumë më pak me përkushtimin për femrat, se sa me përkrahjen e dobët për edukimin e tyre.

Tri të shtëna dëgjohen brenda një periudhe të shkurtë kohore dhe trupi i femrës, të veshur me perçe, bie përdhe. Befas, klithma në shenjë miratimi dher lëvdata për Allahun pasojnë, pas katër të shtënave tjera në drejtim të trupit të saj të palëvizshëm. Video-xhirimi më i ri, i cili erdhi nga Afganistani, tregon ekzekutimin e një femre, të akuzuar për tradhti, nga ana e talebanëve. Xhirimi, i bërë muajin e kaluar me anë të një telefoni mobil dhe i siguruar nga agjencia e lajmeve, Reuters, është i tmerrshëm. Por edhe më i tmerrshëm është fakti se numri i incidenteve të këtilla ka shënuar rritje në Afganistan, duke filluar nga ekzekutimet të ndërmarra nga ana e talebanëve, e deri te prerja e hundëve dhe veshëve, goditjeve më kamxhik dhe amputimeve, më saktësisht prerjes së duarve të meshkujve, të akuzuar për hajni.

Komisioni i Pavarur Afgan për të Drejta të Njeriut ka regjistruar një rritje të dhunës ekstreme të drejtuar kundër femrave-disa prej tyre vepër e talebanëve, por shumë të tjera thjeshtë shpërthime të drejtësisë fisnore të formës mesjetare, raste këto të cilat nuk janë hetuar nga shoqëria dhe qeveria afgane.

Talebanët, pas të gjithave, urdhrat e tyre ekstreme i mbështesin jo vetëm në interpretimin fundamentalist të ligjit islamik, por edhe në traditat fisnore, të cilat i kanë paraprirë islamit. Video-xhirimi i fundit, siç kanë parashikuar shumë njerëz, supozohet se shërbejë si një paralajmërim për fatin e femrave afgane, pas tërheqjes së forcave të huaja nga Afganistani në vitin 2014. Por fakti se dënimet e këtilla po vazhdojnë të zbatohen, madje edhe në kohën kur 100 mijë ushtarë të huaj ende janë të pranishëm në Afganistan, shërben si një indikacion se në fushën e të drejtave të femrave nuk është arritur pothuajse fare përparim, në eksperimentin 11 vjeçar të shtet-ndërtimit.

Dhe kjo ka të bëjë shumë më pak me përkushtimin për femrat, se sa me përkrahjen e dobët për edukimin e tyre.

E vërtetë, më shumë se 3 milionë femra afgane sot janë në shkollë, më shumë se asnjëherë më parë në historinë e Afganistanit, pothuajse nga shkalla zero, në krahasim me vitin 2000. Por të pakta janë femrat që regjistrohen në shkollën e mesme dhe ato që regjistrohen, kryesisht këtë e bëjnë në qendrat urbane. Pjesët rurale të Afganistanit, siç dëshmon edhe xhirimi më i ri, kanë ndryshuar shumë pak. Ekzekutimi ndodhi në qarkun Shinvari, rreth një orë larg udhëtim me automjet nga Kabuli, por me shekuj larg sa i përket zhvillimit.

Natyrisht, momenti i publikimit të xhirimit nuk ka mundur të jetë më i përshtatshëm në aspektin kohor dhe të ngjarjeve: Xhirimi u publikua të njëjtën ditë, kur donatorët e mëdhenj nga 70 shtete, të tubuar në Tokio, premtuan 16 miliardë dollarë ndihma për Afganistanin gjatë katër viteve të ardhshme.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, premtoi se do të qëndrojë përkrah femrave afgane, duke theksuar para pjesëmarrësve në Konferencë:”SHBA-ja beson fuqishëm se asnjë shtet nuk mund të arrijë paqe, stabilitet dhe rritje ekonomike, nëse mbi gjysma e popullatës është e shtypur”.

Rruga përpara, shtoi Clinton, duhet të jetë lufta kundër korrupsionit, përmirësimi i qeverisjes, forcimi i sundimit të ligjit dhe shtimi i qasjes në mundësitë dhe përfitimet ekonomike për të gjithë afganët, në veçanti për femrat.

Por nga rreth 545 miliardë dollarë, të cilat besohet se SHBA i ka shpenzuar në Afganistan, vetëm një sasi e vogël e këtyre parave kanë shkuar në programe, të cilat do të përmirësonin jetët e femrave.

Përkushtimi i bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe sigurinë do të jetë i nevojshëm, për të stabilizuar Afganistanin, pas largimit të forcave të huaja nga vendi.

Prandaj nëse del ndonjë gjë e mirë nga tmerri i fundit në Afganistan, mos ta shndërrojmë këtë në një hidhërim të pavlerë ndaj veprës barbare të një mashkulli injorant, por ta shndërrojmë në përkushtim të ri për edukimin e meshkujve dhe të femrave për të drejtat e tyre thelbësore. (Time)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›