E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë ndodhi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak


Nga Aldrin Dalipi *

Grupi i këshilltarëve të Aleancës për të Ardhmen, mori pjesë dje në mbledhjen e këshillit bashkiak, i cili ishte i vonuar për shkak të shkeljes së ligjit. Sipas ligjit dhe rregullores, mbledhja e këshillit bashkiak zhvillohet jo më pak se një herë në muaj, me gatishmërinë për të diskutuar mbi problemet e qytetit dhe për të gjetur zgjidhjet e nevojshme për qytetin dhe qytetarët.

Ndërkohë në mbledhje, ashtu siç u njoh edhe opinioni publik, u përballëm me arrogancën e zakonshme të një maxhorance të dalë nga votat e vjedhura të 8 majit. Vazhduan edhe dje të ushtronin të njëjtin presion duke na dhënë një skemë të manipulimit dhe të deformimit të ligjit, rregullores dhe votimit në këshillin bashkiak.

Në votimin e parë për ndryshimin e rendit të ditës është shkelur hapur neni 13 pika 4 e rregullores që cakton se rendi i ditës përcaktohet jo më pak se 5 ditë para mbledhjes. Por në mbledhje u futën disa vendime të konsideruara të rëndësishme, të pashqyrtuara nga këshilltarët të majtë apo të djathtë.

Së dyti në votimin e rendit të ditës votuan 2 këshilltarë pa mandat, duke e kthyer këtë votim në një skandal të hapur në dhunim të ligjit dhe të rregullores.

Dhe së treti teksa këshilltarët e Aleancës për të Ardhmen ishin tërhequr për diskutim në grup, brenda në mbledhjen e këshillit bashkiak u votua me 27 vota, për mandatet e 2 anëtarëve, ndërkohë që neni 27 i ligjit për pushtetin vendor thotë shprehimisht që “dhënia e mandatit bëhet me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit”, pra, që këto mandate të jenë të vlefshme duhen votat e 28 anëtarëve të këshillit bashkiak.

Përfundimisht kjo shkelje e ligjit bën që çdo vendim i djeshëm i këshillit bashkiak është nul, i paligjshëm. Grupi ynë i këshilltarëve, shpreh keqardhjen për këtë situatë të krijuar pasi të gjithë sëbashku duam që të ndikojmë në cilësinë e jetës së qytetarëve, po kjo nuk mund të vijë në shkelje dhe dhunim të ligjit dhe rregullores të funksionimit të këshillit bashkiak. I bëjmë thirrje anëtarëve përfaqësues të grupit tjetër në këshillin bashkiak që ti kthehen diskutimit me opozitën për të pasur një vendimmarrje të ligjshme në bazë të rregullores dhe ligjit. Kërkojmë nga drejtuesi i këshillit bashkiak, i cili inicioi të gjithë këtë veprimtari, që ti kthehet ligjshmëria këshillit bashkiak. Ne jemi të hapur për këtë gjë. Por nga ana tjetër do të ndjekim të gjithë procedurat ligjore për të denoncuar në organet e drejtësisë vendimmarrjen e djeshme e cila dhunon ligjin dhe rregulloren e këshillit bashkiak.

*Kryetar i grupit të këshilltarëve të majtë bashkiakë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›