E Diel, 1 Nëntor 2026

Përsiatje/Amnezia e së kaluarës, me pasoja të hidhura

12-10-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Mos të harrojmë ç’kemi hequr, - na thoshte gjersa vdiq një fqinji ynë, plak me rrudha-rrudha në fytyrë, i cili kishte kaluar gjer në ’91-shin të zitë e ullirit, nëpër burgje e internime. Vetëm se i ishte arratisur i vëllai dhe nipi, në të njëjtën ditë. Megjithatë nuk fliste me mllef. Nuk njihej për hakmarrës. Ishte i varfër. Banonte në një shtëpi përdhese. Fill pas arratisjes dhe para kalvarit u demaskua në lagje si i deklasuar, ndonëse folja “deklasuar” i përkiste fjalorit komunist të kohës. Sepse, nga pikëpamja klasore, ishte i klasës punëtore. Meqë përmendëm një fjalor absurd, edhe ajo folja e mëparshme, “u demaskua”, na u përngjit si jashtë kontekstit leksikor, sepse plaku i shkretë nuk ishte hipokrit  dhe s’kishe ç’maskë t’i hiqje! Në internim i kishin vdekur dy fëmijë dhe e shoqja, nga mungesa e të ushqyerit, nga keqtrajtimet dhe nga mungesa e ilaçeve...
Luga e florinjtë është e njohur gjerësisht. Përgjithësisht kujtohet si simbol i mirëbesimit që të çon në zhgënjim. Nuk janë të paktë ata që e përcaktojnë, më shkurt, si rënien nga shiu në breshër.
Luga e florinjtë të kujton llambën e vajgurit. Ndriçon dhomën e errët dhe i jep dritë errësirës. Josh fluturën e bukur, simbolin e qashtërsisë, emblemën e dëlirësisë. Flutura bukuroshe i vjen rrotull kësaj llambe me qelqin përvëlues, ia djeg flatrat dhe ajo përfundon si viktimë e këtij ndriçimi vrastar.
Një pjesë e viktimave të komunizmit kanë pasur fatin e kësaj fluture: Zef Mala, Llazar Fundo, Mustafa Gjinishi, Ramize Gjebrea, Uan Filipi, Musine Kokalari dhe deputetët nacionalçlirimtarë, Xhemal Broja me Selfixhenë, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezha, Edip Tërshana e shumë të tjerë si këta; të gjithë, me përjashtim të Musinesë, kanë pasur  iluzione për komunizmin. Si një sistem shoqëror më i drejtë, më i përkorë, me parime të shëndosha për barazinë sociale. Por edhe Musineja nuk e parashikoi që, vetëm se ishte me ideale të pluralizmit, pa asnjë faj tjetër, pa i rënë më qafë askujt, do të pësonte rrugëtimin e martirizimit.
Nuk përmendëm, në këtë listë idealistësh, persona si Xhelal Koprencka, antikomunist i vendosur, si edhe ata që ia hoqën yllin e kuq flamurit të përdhosur në revoltën e Spaçit, dhe që u flijuan se s’e duronin dot regjimin e zgjedhës njerëzore, të cilin e urrenin. Mjaft prej tyre janë regjistruar në fjalët e fundit të të ekzekutuarve, që kanë mbetur në arkivat, me thirrjen “poshtë komunizmi”.
Tani, kur historia botërore, pas destalinizmit të 1956-s dhe pas kongresit XX në Bashkimin Sovjetik, i vuri mirë pikat mbi i-të, të gjithë janë të bindur se nuk ka komunizëm (në pushtet) të mirë e të keq. Por ka vetëm komunizëm  mizor, në të cilin fjala “barazi” mbetet si një pilulë mashtruese. Ka vetëm komunizëm si sistem në fuqi, në të cilin ata që kapin majën e pushtetit, ia arrijnë kësaj ambicieje të përdalë vetëm me lumenj gjaku të “armiqve” dhe të ish-shokëve më të aftë se kryetari, që hamendësohen se ia kanë me të pabesë. (Enveri nuk mend të duronte dot intelekte si të Zefit, të Qemalit, të Llazarit, të Nakos, qoftë edhe si të Sejfullaut. Në krye, pra, kemi njerëz të paskrupullt, që pushtetin suprem e kanë vënë në dorë jo me ndërgjegjen e lënduar se kanë shkaktuar viktima të pafundme të pafajshmish, - se ata e kanë në zero nivelin e ndërgjegjes, - por përmes të asaj dukurie që e ka marrë emrin terrori komunist.
Sot në të gjitha universitet e shkencave të filozofisë, Marksi ka vetëm disa radhë, në krahasim me faqe të tëra filozofësh të tjerë që kanë mundur të ndriçojnë mendimin njerëzor për një sistem sa më të dëlirë. Nuk është vetëm Indro Montaneli që e ka nxjerrë në një dritë të vërtetë figurën e Marksit, si njeri i përdhosur dhe si mendimtar me mendim të çalë. Leksionet e tij për diktaturën e proletariatit dhe teoritë e tij për ekonominë e centralizuar, kanë shkaktuar miliona viktima.
Le të gjendet në të gjitha shtetet e komunizmit në fuqi, njëri prej atyre që të shërbejë si model mirëqenieje dhe lumturie. Le të cilësohet njëri prej ish-shteteve komuniste, qoftë edhe njëri prej tyre, që të ketë një shkallë relative lirie të shprehjes dhe të veprimit. Këtu përmendet relativiteti, se liri absolute nuk ka. Liria të lejohet gjersa nuk cenon lirinë e tjetrit!
Historia e shteteve na dëshmon se nuk gjendet dot një shtet i tillë, as me qiririn e Diogjenit, as me reflektorë të fuqishëm.
Një njeri i afërt në farefisninë time (që tani nuk jeton), në krye të një drejtorie të rëndësishme në diktaturë dhe tepër i ashpër në atë kohë por që, me ndryshimin e sistemeve, hiqej si liberal, më thoshte se marksizmi ishte gjenial, por interpretohej keq.
-Në çfarë probabiliteti interpretohej keq?- i thosha.
Mendohej për të dhënë ndonjë shifër. Mundim i kotë. Nga pikëpamja statistikore, - meqë nuk arrinte të gjente dot modelin, sipas parimit matematik që një kundërshembull rrëzon pohimin,- dilte se probabiliteti ishte zero. (Asnjë shtet komunist nuk mund të merrej si shembull lirie dhe mirëqenieje). – Por a është e mundur të flitet për gjenialitet të një njeriu, kur praktika e ka përgënjeshtruar atë?
***
Me rënien e lavdisë së rreme të Stalinit të Madh (!) stalinizmit në botë iu vu një njollë e madhe. Emri i tij u zvetënua në shkallë botërore. I mbeti emri vetëm në Shqipëri, po të flasim për Europën. Paçka se ai u përcaktua si antishqiptar, me fakte të pakontestueshme, prej Eduard Kardeljit dhe prej Milovan Gjilasit. Kanë dalë edhe libra të Mikojanit e të shumë të tjerëve, që e dëshmojnë këtë të vërtetë të antishqiptarizmit stalinist.
Paçka se Nexhmija qahet, në librin e kujtimeve të botuara pas rënies së sistemit komunist (“Jeta ime me Emverin, bot. i v. 1998), se Gjilasi, Kardelji, Dedijeri (vetëm ata?) se Stalini na paska qenë i vrazhdë (mbiemër i gabuar, përse nuk thotë kriminel?). Ja si mbrohet Stalini në f. 311 të librit të cituar. Ajo mbetet staliniste kur thotë, një faqe më pas. (312) se “sa ishte Stalini, nuk mund të shpërbëhej kurrsesi BS”. Duke iu përgjigjur Igëllbergerit, ajo i drejtohet atij: “Me ç’mjete dhe të drejta ligjore e rrëzuat Stalinin?”. As që e paska haberin se Stalinin e rrëzoi në një komplot një katërshe byroiste, e cila kishte kuptuar se ai do t’i masakronte edhe ata si të tjerët, që të sundonte në sigurí me gjysmanalfabetë të tipit Pali e Muho, e Lenka e të tjerët në vendin tonë që “mëkatin më të madh e paskan bërë me tufëzat që varfëruan fshatin dhe qytetin” sikur pa to ekonomia jonë lulëzonte! A e di Nexhmija se në Ukrainën sovjetike, nëpër kolkozet që propaganda sovjetike dhe ajo e Nexhmijes i ngrinin në qiell për kah bollëku (!) familjet e uritura ndërronin fëmijët, që t’i hanin, për të mos vdekur nga uria? Por ajo është e pabesueshme, përkundrejt fakteve që jep Kapuçinski në librin e tij “Imperium”. A e ka lexuar ajo librin “Zonja e Zezë” që ka gjetur shtrirje në të gjithë botën demokratike?
Me këtë mendësi Stalinit nuk i mbetën statujat bosh në vendin tonë. Përderisa ato i përlau uragani antikomunist. Por kjo heqje statujash si në të gjithë Europën ku sundoi idiolatria komuniste nuk u bë nga Enveri në 1956-n. Tirani ynë nuk donte t’ia dinte për qëndrimin e Stalinit ndaj vendit tonë. Kryekomunistit tonë  i duheshin metodat e ithtarit të tij, për të konsoliduar pushtetin e vet gjer në despotizëm. Me gjithat ai nuk e propagandonte më kultin e individit të babait të tij shpirtëror. Përse ky rezervim në surdinë? Përse kjo fshehtësi, pra? E qartë. Se do të dilte edhe antikombëtarizimi i Enver Hoxhës. Paçka se kësaj pune i kishte dalë tymi edhe më parë. A nuk ishte Enveri ai që i ofroi postin e Sekretarit I të P. Komuniste shqiptare, Titos,  gjë që s’e kishte bërë as Kuislingu ndaj gjermanëve? A ka kolaboracionizëm më ekstrem se ky?  Ironia e fatit të trishtë qëndron, pastaj, se në emër të kolaboracionizmit, të qenë e të paqenë, këtu u bë kërdia! Kjo nuk na paska qenë mëkat më i madh se ai i tufëzave, sipas një dëshmie testamentare të kohëve të fundit: “Kemi dënuar ata që, me të drejtë e pa të drejtë i quanim armiq të pushtetit dhe popullit. Ky nuk ka qenë mëkati ynë më i madh(!). Tufëzat, po!”. Ja si minimizohet terrori enverist në vendin tonë!
Ja përse mbetëm vendi më i varfëruar i Europës, duke pasur një vijë bregdetare tejetej  përgjatë të gjithë kufirit Adriatik, ku mund të lulëzonte turizmi. Duke pasur edhe toka pjellore, edhe pasuri nëntokësore. Edhe Zvicra  do ta kishte zili këtë bregdetin tonë.
Prandaj mund të parafrazojmë një poet sovjetik që kishte vrarë veten: Kur themi Stalini, themi Enveri! Stalinizmi gjen shesh veprimi edhe sot në mendësinë enveriste të vendit tonë!
Kësisoj majtizmi ekstremist i E. Ramës, nuk e dëshiron aderimin tonë në BE. Vetëm në këtë ngjarje të jashtëzakonshme, kur të jemi në BE, si kombet e tjera të zhveshura nga këto paragjykime specifike politike,  kjo mendësi do të bjerë, për fatin e mirë të kombit tonë. Do të shpëtojmë edhe nga disa proselitë që kërkojnë në mënyrë të tërthortë, të votojmë për  ata që po bëhen zelltarë propagandistikë për të votuar për ata që mbajnë nën sqetull e në strehë, të gjithë mëkatarët e papenduar të atij regjimi enverist, apo stalinist, quaje si të duash.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›