E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha kryeson me 71 vota më shumë

22-06-2011 / Gazeta 55

Numërimi i votave mbërrin te njësia nr. 8 dhe nr. 9, KQZ miraton nesër tabelën përfundimtare për bashkinë e Tiranës

Procesi po shkon drejt fazës finale, teksa kanë mbetur për t’u numëruar votat e vetëm 4 njësive bashkiake të kryeqytetit. Pas numërimit të njësive 8, 9, 10 dhe 11, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë tabelën përfundimtare për rezultatin zgjedhor në bashkinë e Tiranës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi dje numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar, të Qendrave të Votimit në njësitë bashkiake 6 dhe 7 të KZAZ-ve, përkatësisht 50 dhe 51. Në përfundim të tyre, kandidati i Partisë Demokratike Lulzim Basha u rendit 71 vota para rivalit të tij, Edi Rama, kur kanë mbetur dhe kutitë e votimit të 4 njësive bashkiake.
Nga votat e numëruara në 195 kuti votimi të njësisë bashkiake nr. 7 që i takon KZAZ-së 51, 20 vota i kanë shkuar kandidatit të PD-së, Basha dhe 23 vota kandidatit socialist, Rama. Seanca e radhës së KQZ-së është sot në orën 10:00 ku do të vijohet me kutitë e njësisë nr. 8 dhe njësinë nr. 9 të KZAZ-ve 52 dhe 53. Mbledhja e pasdites së djeshme ka vijuar e qetë dhe se nuk ka pasur shumë kontestime. Të vetmet debate kanë qenë për kodin e 5-të, por këto debate janë anashkaluar me mirëkuptim, për shkak se një pretendim i tillë është absurd po të marrim parasysh se nuk ka tepricë apo mangësi të votave të hedhura gabim.
Kësisoj, me këto ritme, 8 grupet e numërimit pritet të finalizojnë brenda ditës së sotme 2 njësitë e tjera bashkiake, 8 dhe 9-ën, për të vijuar nesër me 10-ën dhe 11-ën. Njësia bashkiake nr. 11, që i takon KZAZ-së 55, shënon edhe fundin e procesit të numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar.
Nesër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton tabelën përfundimtare të rezultatit zgjedhor për Tiranën.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›