E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë vendimi do të japë Kolegji Zgjedhor

Nga Preç Zogaj

Do të donim ta zvogëlonim në maksimum rëndësinë e vendimit që do të japë Kolegji Zgjedhor për paligjshmërinë apo ligjshmërinë e “fitores” së Lulëzim Bashës me votat e shumicës politike qeveritare në KQZ. Është e rëndë që humori i mbarë vendit të varet nga tetë gjyqtarët e Kolegjit.

Besoj është e rëndë edhe për vetë këta tetë gjyqtarë.
Por s’kemi çfarë të bëjmë! Nuk mund të hiqemi sikur jemi para një gjykimi të zakonshëm. Nuk mund të bëjmë sikur e nesërmja do të jetë njëlloj, pavarësisht nga vendimi që do të jepet. Nuk mund ta zvogëlojmë me dashje rëndësinë e këtij vendimi. Më mirë t’i themi gjërat siç janë, t’i pranojmë siç janë dhe të përballemi me to hapur. Mendoj se kjo ka vlerë edhe për trupin gjykues të Kolegjit Zgjedhor. Kam bindjen se edhe ata nuk e durojnë dot që dikush t’u qajë hallin për barrën që u ra mbi supe.

Në këtë sprovë ata nuk i ka thirrur rasti, por detyra, ligji, shërbimi, përgjegjësia profesionale, intelektuale dhe atdhetare njëherësh. Ka gjithnjë momente kur thirrja e detyrës dhe ligjit bashkohet me thirrjen e atdheut. Ka gjithnjë një ditë për ushtarët e lirisë dhe drejtësisë, cilët do qofshin ata. Gjithkujt i vjen radha. Kësaj radhe shorti u ka rënë tetë gjyqtarëve. Është në dorën e tyre të ngrihen në lartësinë e drejtësisë që është edhe lartësia e pritjes së publikut.

Cilat janë gjërat që duket t’i themi edhe njëherë siç janë, meqenëse Kolegji na ka dhënë kohë për t’i ripërmbledhur. Nuk e kemi fjalën për interpretimin e neneve dhe procedurave të Kodit Zgjedhor apo për debatet, gjoja, teknike në KQZ, që u vulosën nga fillimi në fund me shumicë votash, pra asnjëherë me konsensus, a thua se nuk po zbatohej një Kod unik për të shtatë anëtarët e KQZ-së, por po bëhej një Ligj i ri ku shumica përdorte kartonët kundër pakicës.

Kolegji Zgjedhor ka tagrin të shprehet për nenet e shkelura dhe procedurat e dhunuara përgjatë seancave maratonë të operacionit “Ristani” për të ndryshuar rezultatin në Tiranë. Më tej do t’i vijë radha Prokurorisë të kalojë në skanerin e Ligjit veprimet dhe mosveprimet e Arben Ristanit në këtë operacion pa precedent në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Le të bëjnë institucionet e ligjit punën e tyre. Ne do të flasim për konstatime dhe argumente të natyrës politike dhe publicistike, që kanë një rëndësi të shtuar në gjithë kontekstin e betejës për bashkinë e Tiranës, si fytyra emblematike e zgjedhjeve vendore të 8 majit.

DY ARBITRA

Konstatimi i parë është se kësaj radhe më shumë se herë të tjera kemi dy “arbitra”, domethënë dy instanca gjykimi. Për çështje të veçanta dhe për zgjedhjet në tërësi. “Arbitri” i parë është faktori ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, misioni i vëzhguesve të ODHIR-it, si pjesë e OSBE-së. Ky është arbitri që ka hyrë dorëzanë dhe ka bërë të mundur pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet vendore, në kushtet e krizës së pazgjidhur për zgjedhjet politike të vitit 2009. “Arbitri” tjetër është dhe duhet të jetë binomi KQZ-Kolegj Zgjedhor.

Opozita shqiptare e ka ditur me kohë se kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, jo arbitër i paanshëm nuk ka qenë e nuk është, por ai ia kalon një militanti partiak për sa i takon pasionit, verbërisë dhe amatorizmit, më të cilin kryen apo shpik veprime antiligjore që dëmtojnë opozitën.

Opozita e ka bërë të qartë herët përgjegjësinë ligjore të këtij personi për futjen në ngërç të transparencës së zgjedhjeve të vitit 2009 nëpërmjet moszbatimit arbitrar të neneve 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor. Ndërkaq, zoti Ristani e ka afishuar dhe vazhdon ta afishojë publikisht, me krenari, urrejtjen e tij për opozitën, duke filluar me ata që ka çdo ditë përballë në tryezën e KQZ-së.

Zgjedhjet vendore të këtij viti startuan me një hije të fortë komprometimi qëkurse qeveria, me gjithë kërkesat e forta të opozitës, nuk hodhi asnjë hap për të zëvendësuar Arben Ristanin në krye të KQZ-së. Me fjalë të tjera, vendi u fut në zgjedhje në kushtet kur njëra gjymtyrë e arbitrit vendas , domethënë KQZ, ishte bërë palë me qeverinë.

Nën trysninë e dyfishtë të rrethanave dhe të faktorit ndërkombëtar, opozita pranoi të hynte në zgjedhjet vendore me një KQZ të tillë të kompromentuar dhe armiqësore, duke besuar se veprimet e njëanshme dhe antiligjore të veglave të Berishës atje do të amortizoheshin, ndaloheshin dhe nulifikohesin nga arbitri ndërkombëtar.

Në të vërtetë, opozita veproi drejt dhe sot nuk ka arsye të ndihet e penduar apo e zhgënjyer me zgjedhjen e saj. Përkundrazi. Arbitri ndërkombëtar ka folur qartë dhe me një zë në lidhje me procesin “Ristani” të përmbysjes së rezultatit për Tiranën. Arbitri ndërkombëtar ka nënvizuar deri tani katër pika kyçe:

E para, KQZ duhej të kishte shpallur rezultatin paraprak zyrtar me të përfunduar numërimi në KZAZ-në numër 49 që nxori fitues me dhjete vota Edi Ramën. (Vonesat e kërkuara në këtë pikë kishin për qëllim t’i jepnin kohë paligjshmërisë dhe manipulimit- shënimi im).

E dyta, numëruesit dhe komisionerët ishin trajnuar t’i konsideronin të pavlefshme votat e hedhura jo në kutinë përkatëse.

E treta, nuk mund të ndryshohen rregullat e lojës kur loja ka mbaruar.

E katërta, baza ligjore e asaj që bëri KQZ në lidhje me vlerësimin e votave të gabuara është shqetësuese. Arbitri ndërkombëtar s’ka reshtur së përsërituri këto katër pika, edhe kur ka folur me gojën e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian, edhe kur ka folur me gojën e zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe kur ka folur me gojën e kreut të misionit të ODHIR-it, Jonathan Stronestreet.

Komisionerja e Punëve të Jashtme të BE-se, baronesha Ashton, dhe komisioneri për zgjerimin, zoti Fule, kanë shkuar më larg. Dhe më larg do të shkojnë edhe të tjerët në ditët në vijim, kur përveçse për pikat e mësipërme që në lidhjen e tyre demaskojnë farsën “Ristani”, do të duhet të shprehen për fakte dhe dukuri të tjera shokuese, që kanë shoqëruar operacionin e përmbysjes së rezultatit në favor të Bashës.

Por nuk besoj se do të çuditen shumë, kur të binden edhe ata, në dritën e fakteve të pakundërshtueshme, se në kutitë e shqyrtuara nga Ristani me shokë janë futur duart. Rrugët e paqarta ndiqen vetëm për të vjedhur. Rregullat e lojës ndërrohen pas mbarimit të lojës vetëm për të vjedhur.

Zoti Ristani ka treguar tashmë qartë edhe për partnerët ndërkombëtarë se zoti, ligji apo arbitri i madh për të është vetëm një njeri: kryeministri Sali Berisha. Ka harruar Ristani se nuk e gjykon ai ODHIR-in, por e gjykon ODHIR-i KQZ-në. Nuk e gjykon Berisha Perëndimin, por Perëndimi Berishën. Kjo është marrëdhënia e Shqipërisë me Perëndimin e standardeve demokratike. Në hierarkinë e arbitrave, arbitri ndërkombëtar është superior.

Pavarësisht se nuk jep mandate konkrete. Por jep një “mandat” shumë më të vyer, “mandatin” e demokracisë së vendit.
Duke i rënë ndesh arbitrit ndërkombëtar, Ristani me treshen e tij politike bënë hara-kiri, zhdukën një institucion, u sakrifikuan për një fitore në tavolinë që nuk mund të lëshojë rrënjë, zbuluan edhe për ata që nuk e besonin se KQZ në shumicë qeveritare nuk ishte asgjë tjetër veçse një instrument dhe aneks politik i Sali Berishës. Po çdo të ndodhte, nëse një qëndrim të tillë do të adaptonte edhe pjesa tjetër e arbitrit vendas, domethënë Kolegji Zgjedhor?

KUNDËRTHËNIE TË TJERA

“Për çështjen e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar ligji nuk shprehet qartë. Ka vakuum ligjor, prandaj KQZ mund të ndërhyjë”- ja një prej argumenteve që kanë përdorur mbështetësit e operacionit “Ristani”.

Logjika dhe zakonet nuk e pranojnë këtë farë argumenti. Ku ka boshllëk ligjor, ligji është precedenti, mënyra si është trajtuar çështja përkatëse në të kaluarën. Deri në momentin kur ligjvënësi mbush boshllëkun. Kjo është tradita, ky është rregulli i pashkruar i jurisprudencës së shëndoshë dhe serioze.

Precedenti ynë për fletët e hedhura jo në kutinë përkatëse është i tillë që ato janë shpallur gjithnjë të pavlefshme. Edhe pse me keqardhje. Edhe pse dikujt mund t’i ketë kushtuar kjo gjë. Por nuk mund të ndodhë ndryshe. Gabimi njerëzor paguhet. Edhe vënia e shenjës së votimit ndanë emrit te kandidatit dhe jo në kuadratin përkatës është gabim njerëzor. Por vota shpallet e pavlefshme, gjithsesi. Nuk ka dy masa vlerësimi për gabime njerëzore, që për më tepër nuk kapen në vend, po pas pilafit, shumë ditë me vonë.

Është më mirë të dënosh gabimet dhe të kultivosh disiplinën, se sa të kultivosh gabimet duke shkatërruar disiplinën. Mandej kush mund ta gjejë kufirin që ndan hedhjen e gabuar nga hedhja e qëllimshme për ta çuar fletën dëm. Pavlefshmëria është gjithashtu formë e shprehjes së vullnetit të zgjedhësit. Dhe ka gjithnjë zgjedhës që e ngatërrojnë me vetëdije kutinë për të bërë votën e tyre të pavlefshme.

“KQZ është detyruar të ndërhyjë dhe të marrë disa herë në të kaluarën kompetencat e një KZAZ-je”- ja një argument tjetër i mbështetësve të operacionit “Ristani”. Për ilustrim, sillet shembulli i Fierit apo Fushë-Kuqes në zgjedhjet e kaluara apo shembuj të tjerë nga zgjedhjet e mëparshme kur KQZ ka numëruar vota të panumëruara. Shembujt që sillen, në vend që ta justifikojnë, e rëndojnë edhe me shumë rastin e fundit me Tiranën.

Duhet saktësuar: KQZ ka ndërhyrë kur është bllokuar puna apo numërimi në komisionet e nivelit të dytë, kur vetë këto komisione janë gjendur në kushtet e mospërmbushjes së detyrës ose kanë kërkuar ndihmë. Në Tiranë kësaj radhe kemi rastin e parë kur KQZ nuk ndërhyn për të zhbllokuar një situatë të bllokuar, por ndërhyn për të bllokuar dhe kthyer mbrapsht një proces të përfunduar numërimi.

Debatet më të shumta janë bërë e bëhen në lidhje me vendimin e KQZ për t’u sjellë sipas leverdisë dhe interesit të çastit, hëm si KZAZ, hëm si KQZ, duke krijuar një precedent qesharak në fushën e së drejtës. Ligji nuk mund të jetë kurrë kaq vulnerabël sa të lejojë një travestizëm si ky që pamë në operacionin “Ristani”. Dhe, në fakt, Kodi është shprehur qartë se në lidhje me votimet për bashkinë e Tiranës, KQZ nuk bën gjë tjetër veçse bën shumatoren e votave të njëmbëdhjetë KZAZ-ve dhe shpall rezultatin.

Dikush në “Facebook” kishte kapur një kontradiktë të thjeshtë, por kuptimplotë në lidhje me këtë pikë: Ku e gjen të drejtën KZAZ-ja e Tiranës (alias KQZ-ja e Ristanit) të jetë gjatë gjithë kohës shumicë qeveritare, sa kohë që kompozimi i KZAZ-vë behet me short sipas ndarjes 50 për qind opozita dhe 50 për qind shumica?!!

Sa me thellë të futesh në operacionin “Ristani” të përmbysjes së rezultatit në Tiranë aq me shumë kundërthënie dhe kontradikta gjen. Ja dhe një, sa për ta thënë, që nuk është e fundit: Çfarë statusi do të kenë në zgjedhjet e ardhshme KZAZ-të e Tiranës, nëse merr fuqi ligjore operacioni “Ristani”? A mund të nxjerrin ato më rezultate pas kësaj që po ndodh tani?

FUTJA E DUARVE

Por ajo çfarë mund ta komprometojë përfundimisht operacionin “Ristani” jo më si vepër të pasionit të verbër politik, por si vepër kriminale të mirëfilltë janë provat e futjes së duarve në kuti, hedhja e votave që dalin tepër, heqja e votave që dalin mangët, dëmtimi i kodeve dhe trafikimi i fletëve në magazinat ku kutitë i kanë në ruajtje njerëzit e Sali Berishës, Lulëzim Bashës dhe Arben Ristanit.

Çështja e votave të shtuara apo të hequra nuk është një çështje e afateve të ankimimit, siç u përpoq ta trajtonte dje Berisha. Është çështje e legjitimitetit ose jo të procesit dhe zgjedhjeve. Kur hidhen vota e gjithë historia katandiset në një vepër kaçakësh.

PËRSËRI ARBITRI NDËRKOMBËTAR

Të premten mblidhet Kolegji Zgjedhor. Nuk e teprojmë kur themi se vendimi i këtij kolegji është i një rëndësie të veçantë për fatin dhe ecurinë e vendit. Gjyqtarët e Kolegjit, megjithëse do të duhej të referonin vetëm Kodin Zgjedhor në punën e tyre, nuk janë të imunizuar nga mjedisi politik kombëtar e ndërkombëtar që është sfondi i vendimit të tyre.

Në një pamje të thjeshtë, Kolegji Zgjedhor ndodhet midis vendimit politik të katërshes politike të qeverisë “Berisha” në KQZ, që ka shpallur fitues Lulëzim Bashën dhe Arbitrit Ndërkombëtar, që ka bërë deri tani katër objeksione të forta për veprimet e kësaj katërshe dhe pushtetit politik që qëndron pas tyre.

Një vendim eventual i Kolegjit në favor të vendimit politik të katërshes politike të KQZ-së do të hapte në shkallë të gjerë divergjencën midis sistemit vendas dhe atij ndërkombëtar të gjykimit. Njëherësh, do të shtonte pikëpyetje shumë serioze për situatën e krizës dhe të ardhmen e zgjedhjeve në vend. Prandaj, një vendim i tillë, që nuk do ta uroja, do të duhej të ishte më e pakta i super-argumentuar, pa shenjën më të vogël të lajthitjes.

Duke pasur parasysh çfarë ka thënë deri tani Arbitri Ndërkombëtar, besoj se Kolegji Zgjedhor nuk mund të provojë dhe argumentojë ligjshmërinë e operacionit “Ristani”. Prandaj jam një prej opinionistëve politikë që pres me besim vendimin e Kolegjit, si vendim drejtësie dhe paqeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›