E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Demonstratë paqësore, por të vendosur për largimin e Berishës”

11/02/2011  Kreu Rama sqaron arsyet dhe motivet e tubimit të 18 shkurtit

Kreu socialist Edi Rama parashtroi dje arsyet se përse e majta do të ftojë qytetarët të ridalin në një tjetër demonstratë. Gjatë një konference për shtyp, kryetari i PS-së sqaroi se kundërvënia ndaj shumicës në pushtet nuk është më një luftë politike e PS me PD. “Kjo është beteja e Shqipërisë që s’pranon të dhunohet, të varfërohet, papunësohet, të nënshtrohet, të poshtërohet nga buka e qeverisë, me një pushtet që s’është më, ka kohë që s’është më, as përfaqësuesi i demokratëve të zakonshëm, i shqiptarëve të ndershëm dhe punëtorë që shohin djathtas për më shumë shanse për t’u pasuruar me konkurrencë të lirë”, vuri në dukje Rama lidhur me një çështje të tillë. Për këtë arsye, kryetari i socialistëve shprehu dhe një herë tjetër bindjen se demonstrata e 18 shkurtit do të jetë vetëm për qytetarët shqiptarë. “Ne do të ridalim në demonstratë më 18 shkurt bashkë me ta dhe për ta, për çdo qytetar, i majtë apo i djathtë, sepse më shumë se kurrë kjo është një përballje përtej të majtës dhe të djathtës. Mes shqiptarëve të majtë dhe të djathtë, po njësoj të varfër, të papunë, të pamundur përballë çmimeve dhe halleve dhe regjimit të kusarisë që vret e vjedh përditë sa majtas e sa djathtas”, nënvizoi Rama gjatë fjalës së tij. Njëkohësisht, në këtë dalje publike Rama nuk kurseu akuzat ndaj drejtuesve të mazhorancës. Kështu, në deklaratën e tij kreu socialist iu referuar seancës së djeshme parlamentare, e konkretisht mospjesëmarrjes në të të Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Brendshëm Lulzim Basha. “Sot Saliu dhe Luli, dy përgjegjësit kryesorë, truri dhe masha politike që shkaktuan masakrën e 21 janarit, nuk u paraqitën në Parlament. I bënë bisht një përballjeje ku janë të treguar me gisht jo nga ne, por nga e tërë Shqipëria, si njerëzit që duhet të largohen bashkë me qeverinë e zhytur në llumin e një kusarie që vret”, vlerësoi Rama lidhur me një çështje të tillë. Parë në këtë këndvështrim, kryetari i PS-së shprehu qëndrimin e palëkundur se forca politike e drejtuar prej tij nuk do të heqë dorë nga kundërvënia ndaj qeverisë “Berisha” deri në largimin e saj. “Ne s’do të rreshtim së kërkuari largimin e tyre. Jo për t’u zënë vendin, po për të rivënë në vend Kushtetutën, ligjshmërinë, institucionet dhe padyshim qeverisjen, duke i ridhënë popullit të drejtën që të qeveriset nga ata që zgjedh. Për të mos u sunduar më kurrë nga ata që s’e lënë të zgjedhë”, deklaroi Rama. Madje, duke i mëshuar me forcë një pozicioni të tillë, kreu socialist nënvizoi se “më 18 shkurt do të ridalim në demonstratë për një mijë e një arsye pse Shqipërisë i duhet një faqe e re e historisë. Paqësisht, por vendosmërisht”. Në këtë mënyrë, në vlerësimin e lidershipit socialist kjo demonstratë do të jetë gjithëpërfshirëse, por nga ana tjetër mesazhi që do të mbartet në të do të përcillet paqësisht, duke garantuar në këtë mënyrë se nuk do të risillen më skenarët e demonstratës së 21 janarit. “Për të vrarët, për të rrahurit, për të sharët e kokëpalarët, për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që ky pushtet vrastar kusarësh i ka lënë pa punë, pa ndihmë, pa shpresë dhe i tall përditë duke u thënë lum si ju për qeverinë dhe ekonominë që keni, ne do të ridalim në demonstratë më 18 shkurt. Do të kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, luftë kundër korrupsionit e fund të represionit. Paqësisht, por vendosmërisht”, bëri me dije Rama.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›