E Diel, 1 Nëntor 2026

Nota kaluese në provimet me zgjedhje lejon hyrjen në konkurs

11/02/2011  Matura 2011, Kushti për pranimet në akademitë sportive, artistike, arkitekturë e tj

Përveç konkursit, nxënësit do të testohen edhe për lëndët. Ndryshe nga sa ka ndodhur një vit më parë, kandidatët që do të konkurrojnë për pranimet në institucionet e arsimit të lartë për degët e arteve, degët sportive, arkitekturën etj., do të duhet që përveç testimit special të japin edhe provimet me zgjedhje. Kjo, pasi në rregulloren e maturës për këtë vit është vendosur që nxënësi duhet të marrë detyrimisht nota kaluese në të katër provimet, duke përfshirë dy lëndët e detyruara ashtu dhe ato me zgjedhje, për të shlyer detyrimet me shkollën e mesme. Vetëm pas marrjes së diplomës së maturës ata do të mund të vijojnë procedurën e mëtejshme të aplikimit për shkollat e larta, ku për akademitë do të zhvillohen testimet nëpërmjet konkursit individual. Gjithashtu në rregullore konfirmohet se maturantët e vjetër, që u janë nënshtruar një herë provimeve me zgjedhje, mund të konkurrojnë gjatë këtij viti për shkollat e larta pa u dashur të japin sërish këto provime. Pra, mund të përdorin rezultatet e viteve të shkuara. Kandidatët që në vitet shkollore 2005-2010 kanë dhënë provimet me zgjedhje të maturës dhe nuk janë shpallur fitues, ose nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimit në fakultete publike (e vërtetuar nga dekanatet përkatëse), për këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë vetë ridhënien e tyre. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këto lëndë merren koeficientët e këtij viti. Në rastet kur kandidatët dëshirojnë të rijapin provimet me zgjedhje, duhet të paraqesin kërkesat përkatëse pranë komisioneve të maturës në shkollat ku kanë dhënë provimet e detyruara në vitet e mëparshme. Për këtë ata duhet të bëjnë kërkesë pranë drejtorive arsimore, duke dorëzuar Dëftesën e Pjekurisë dhe mandatpagesën e një tarife. specifike Po për këtë kategori rregullorja specifikon gjithashtu se në rast se kandidati e ka dhënë më shumë se një herë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje, i njihet vetëm rezultati i arritur në vitin e fundit. Ndërsa maturantët që kanë mbaruar jashtë vendit do të duhet të ekuivalentojnë titujt dhe pastaj të regjistrohen për të dhënë provimet duke bërë kërkesën përkatëse.

Arsimi parauniversitar

Problematikat mbi përzgjedhjen e teksteve

Procedurat mbi përzgjedhjen e teksteve mësimore që do të përdoren në arsimin parauniversitar duhet të jenë më transparente, për të siguruar tituj më cilësorë. Shumë prej teksteve të përzgjedhura kanë nevojë për përmirësime kundrejt rritjes së cilësisë. Nëpërmjet një monitorimi të kryer në disa rrethe të vendit, vetë prindërit kanë konstatuar disa probleme që kanë të bëjnë me vështirësitë në përdorimin e këtyre teksteve. Konkretisht, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë - Soros, në bashkëpunim me një grup ekspertësh, përgjatë periudhës gusht-nëntor 2010 ndërmorën monitorimin e zbatimit të procesit “Altertekst 2010”, në qytetin e Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës. Ky monitorim ka si qëllim nxitjen e përmirësimeve të mëtejshme mbi përzgjedhjen e teksteve më cilësore. Të pyetur rreth vështirësive që hasin fëmijët në të përvetësuarit e dijeve, prindërit konfirmojnë se 74.1 për qind e nxënësve hasin vështirësi përgjatë procesit të nxënies. Kështu, 59 për qind e prindërve të intervistuar mendojnë se arsyeja e këtyre e vështirësive është cilësia e dobët e teksteve. Megjithatë, rreth 43 për qind e prindërve të pyetur kanë pohuar se tekstet e përzgjedhura kanë qenë edhe më cilësore se ato të një viti më parë. Një tjetër pikë problematike ka qenë dhe ajo e sigurimit të testeve në nisje të vitit shkollor. Rezultatet e monitorimit sugjerojnë se tekstet nuk kanë mbërritur në sasinë e duhur për të gjithë titujt, pasi vetëm 29.9 për qind e prindërve kanë mundur ti sigurojnë të gjitha tekstet që me vizitën e parë në shkollë, ndërsa rreth 28 për qind e prindërve të intervistuar u është dashur të vizitojnë shkollën në tri apo më shumë raste, për të siguruar të gjitha tekstet e nevojshme. Pajisja e blerësit të tekstit me faturë tatimore ka qenë një rregull i pazbatuar në shumicën e rasteve, pasi 81 për qind e prindërve të pyetur nuk janë pajisur me faturë tatimore. Megjithatë të gjitha përfundimet pritet të jepen në një raport të veçantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›