E Diel, 1 Nëntor 2026

Çifti bënte dashuri në makinë, grabiten nga dy persona me maska

TIRANE – Një çift është sulmuar nga dy grabitës në kohën kur po bënin dashuri në makinë prapa një qendre tregtare në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, rreth orës 22:30, në afërsi të mbikalimit në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se dy të dëmtuarit, Adil M. 25 vjeç nga Gramshi dhe Freda L. 23 vjeçe, nga Skrapari, të dy me studime në Tiranë, ndodheshin në makinën tip “Ford”, ku po kalonin disa momente në intimitet dhe dy persona me maska u janë afruar.

Autorët, që sipas çiftit kanë pasur thika në duar, i kanë kërcënuar dhe më pas i kanë detyruar që t’u japin paratë dhe sendet personale. Pasi i kanë zbritur me dhunë nga makina, grabitësit u kanë vjedhur rreth 20 mijë lekë të rinj dhe telefonat e tyre celularë. Më pas janë larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes, në drejtim të kryqëzimit të fshatit Yzberisht.

Të rinjtë, të frikësuar nga ngjarja që u ndodhi, kanë hipur në makinë dhe menjëherë janë drejtuar te Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku kanë denoncuar grabitjen në seksionin Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë. Burime nga Policia thanë se të dëmtuarit nuk kanë arritur të përshkruajnë autorët e ngjarjes, pasi sipas tyre, përveçse kanë qenë të maskuar, vendi ku ka ndodhur ngjarja ka qenë i errët dhe nuk kanë parë asgjë përveç siluetave të tyre. Por nisur nga zëri i tyre, ata dyshojnë se dy grabitësit nuk mund të kenë qenë më shumë se 20 vjeç.

Policia ka nisur procedim penal për “vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim” dhe ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve. Prej më shumë se një muaji, Policia e Tiranës ka nisur një plan masash pikërisht për parandalimin e grabitjeve të çifteve në zonën e Liqenit Artificial. Madje, policia nuk i lejonte të dashuruarit që të qëndronin natën në atë zonë për shkak të sulmeve të tilla. Por, mesa duket, jo vetëm zona e Liqenit Artificial duhet mbajtur nën vëzhgim, pasi ngjarje të tilla ndodhin edhe në vende të tjera të kryeqytetit.

(er.nu/Panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›