Çiljeta me tri surpriza
Xhilaga nuk di të ndalet me krijimet e saj. Pasi që ka pasur një verë përplot angazhime me mbrëmje të ndryshme nga veriu në jug të Shqipërisë, ajo tashmë ka edhe plane të tjera. Këngëtarja pritet që të realizojë edhe spotin e këngës “Sonte dhemb zemra”, përderisa ka edhe plane të tjera. Ajo ka thënë për gazetën Panorama se ka tri befasi.
Edhe aktore
Edhe pse më parë ka luajtur në një rol, tani këngëtarja është e përfshirë në një projekt të regjisorit Ylli Peplo. Ajo gjithmonë ka dashur që të luajë rol në filmat e saj, por vetëm tani e ka parë të arsyeshme që ta bëjë këtë. Xhilaga pritet që të luajë një rol të rëndësishëm në këtë film – në të cilin nuk do të luajnë vetëm aktorë shqiptarë, por edhe emra të njohur të kinematografisë italiane. Megjithatë, Çiljeta nuk jep shumë detaje për këtë film.
Vazhdon me koncerte
Nuk do të jetë vetëm filmi që do ta gjejë në vjeshtë Çiljetën duke punuar. Kjo sepse ajo është shumë e angazhuar dhe do të paraqitet së paku një herë në javë në një program të rëndësishëm të televizioneve shqiptare. Ajo pritet që të jetë edhe pjesë e një konkursi që do të mbahet në mes të këngëtarëve të njohur, të cilët do të këndojnë “live”. Pasi që është një këngëtare komerciale, ku pjesa vizive është aq e rëndësishme, saqë duket sikur muzika dhe të kënduarit del në plan të dytë, me sa duket kësaj here do kemi surpriza. Çiljeta do të këndojë live, si për të na thënë se ne jemi gabuar që nuk e kemi marrë seriozisht zërin e saj.
Këngë me DJ Blunt
Ndërkaq sa i përket bashkëpunimeve me kosovarë, edhe kësaj radhe Çiljeta nuk do të ndalet. Edhe pse ishte thënë se do të bënte një këngë me Noizyn, doli që nuk është e vërtetë pasi që ajo do të bëjë një këngë me DJ Blunt nga Kosova. Kjo është edhe surpriza e tretë e Çiljetës, e cila ka thënë në intervistat e fundit se nuk do të ndalet së krijuari këngë të reja.
Humb gjashtë kilogramë
Për të qenë sa më e afërt më të dashurin e saj, Çiljeta ka hyrë në një dietë dhe po bën ushtrime në palestër (fitnes). Kështu ajo e ka ruajtur shumë mirë formën e saj fizike, ndërkaq kilogramët e tepërt që i fitoj pas “Dancing With the Stars”, tashmë i ka hequr. Kështu ajo mendon që t’i bëjë edhe një befasi të dashurit të saj Aleksandër, i cili zakonisht ka dëshirë ta shohë Çiljetën më dobët dhe normalisht më seksi.