E Diel, 1 Nëntor 2026

Engel: Amerikanët nuk kanë shokë më të mirë se shqiptarët

Nga Express më 25 shtator 2011 në ora 18:26

Kongresisti amerikan, njëherësh miku i madh i shqiptarëve, Eliot Engel, ka thënë për Kosovapress se aksioni i Qeverisë së Kosovës për dërgimin e doganierëve dhe policëve në veri ka qenë një hap i duhur për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit.

Duke vlerësuar raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve si shumë të mira, kongresisti amerikan thotë se shokët më të mirë për popullin amerikan në gjithë botën janë shqiptarët, gjë të cilën e dëshmojnë edhe shumë sondazhe.

“Amerikanët nuk kanë shokë më të mirë se shqiptarët dhe në anën tjetër shqiptarët nuk kanë shokë më të mire se sa amerikanët. Jam shumë i gëzuar që kam ndihmuar të lehtësoj këtë lloj marrëdhënie në këto 20 vitet e fundit prej se jam në kongres”, ka thënë ai.

Ndërkohë që situata në veri të Kosovës serish është tensionuar për shkak të bllokadave në rrugë nga ana e serbëve të rebeluar, Engel vlerëson si hap të duhur veprimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e policisë dhe doganierëve në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri.

“Kryeministri Thaçi bëri atë që çdo lider i një shteti të pavarur do ta kishte bërë. Ai po na siguron se integriteti territorial i shtetit të tij mbetet i pacenuar, dhe për këtë gjë unë mendoj se është shumë mirë. Nuk mund të kesh situatën si në veri të Mitrovicës apo në ndonjë vend tjetër, ku ata (serbët) janë duke i bojkotuar produktet e Kosovës dhe të mos e respektojnë sundimin e ligjit në Kosovë”, shprehet kongresisti amerikan.

Ai ndërkaq ka shprehur qëndrimin e SHBA-ve për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, duke thënë se çdo tentim për ndryshimin e kufijve në Ballkan do të ishte i pasuksesshëm.

“Mendoj se hapat që kryeministri Thaçi i ndërmori ishin shumë të përshtatshëm dhe SHBA e kanë përkrahur, pasi që ne përkrahim Kosovën e lirë dhe të pavarur. Nëse fillojnë t’i ndryshojnë kufijtë në Ballkan nuk do të kenë sukses. Ne nuk e duam në asnjë mënyrë ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës, as ligjërisht e as faktikisht”, ka thënë ai. (KP)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›